Thirrje e imzot Tomazit në Këshillin për të Drejtat e Njeriut: “Përballë dhunës, ushtruar
këto ditë, është urgjente të promovohet toleranca fetare”.
(24.09.2008 RV)Urgjente, nevoja për promovimin e tolerancës fetare - në fjalimin,
që mbajti kryeipeshkvi Silvano Tomazi, përfaqësues i përhershëm i Selisë së Shenjtë
pranë Kombeve të Bashkuara, në Këshillin për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë. Këto
ditë, imzot Tomazi foli edhe para Asamblesë së anëtarëve të Organizatës Botërore të
pasurisë intelektuale, gjithnjë në Gjenevë. Bashkësia ndërkombëtare po e shikon
me sytë e vet dendësimin e manifestimeve të dhunshme të intolerancës fetare në disa
zona gjeografike të botës – kujtoi imzot Tomazi, duke nënvizuar se është fjala për
shkeljen e të drejtave më fillestare të njeriut, pavarësisht nga feja së cilës i përket.
Imzot Tomazi tërhoqi vëmendjen mbi faktin se mosdënimi i këtyre krimeve, që vërehet
shpesh, përcjell mesazhin se sulmet e dhunshme, e madje edhe zhdukjet fizike të njerëzve
të një besimi tjetër, janë të pranueshme. Gjashtëdhjetë vjet më parë, Deklarata Universale
e të Drejtave të Njeriut mbështeste të kundërtën, duke mbrojtur “të drejtën e secilit
për lirinë e mendimit, të ndërgjegjes e të fesë”. Përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë
shprehu shqetësimin për format e ndryshme të diskriminimit në dëm të pakicave fetare,
si keqtrajtimet shoqërore, paragjykimet politike e dhuna. Prelati i mbështeti të gjithë
ata që do të shprehen për këtë situatë, pa harruar të theksojë se nuk duhet të kufizohen
tek fjalimet thjeshtë retorike, por ta nxisin çdo shtet të zhvillojë një veprimtari
konkrete në të gjitha nivelet: në ligjshmërinë kombëtare, në sistemin gjyqësor, në
qeveri, në sistemin edukativ, në media, e deri në nivelin e vetë bashkësive fetare.
Përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë nënvizoi se ligjet mbi blasfeminë mund të kthehen
në armë, që përdoren kundër armiqve personalë ose si pretekst për të shkaktuar dhunën. Imzot
Tomazi foli edhe nga një tribunë tjetër, gjithnjë në Gjenevë, ku e ripreku këtë temë
në Asamblenë e Anëtarëve të Organizatës Botërore të pasurisë intelektuale. Duke pasur
mirë parsysh kuptimin e konceptit ‘pasuri intelektuale’, prelati ripohoi me forcë
se Selia e Shenjtë i kushton vëmendje të posaçme përmasave etike e shoqërore, që lidhen
me njeriun dhe me veprimet e tij. Foli, më pas, në favor të drejtpeshimit të normave,
që kanë të bëjnë me vendet më të varfëra, të cilave u duhen vlerësuar veçoritë dhe
identiteti. Duke cekur edhe problematikat ende të hapura, në fushën e pasurisë intelektuale,
imzot Tomazi nënvizoi përgjegjësinë e punonjësve të kësaj fushe, të cilët duhet të
kontribuojnë për ndërtimin e një bashkësie ndërkombëtare më drejtë e më paqësore.