Sot Kisha katolike kremtoi të Lumen Mari, Virgjër e Mercedes
(24.09.2008 RV)E lumja Mari Virgjër
e ‘Merced’ – që në spanjisht do të thotë ‘e mëshirës’, njihet si frymëzuese për themelimin
e Urdhërit të lashtë të Mercedarëve, prandaj titulli me të cilin nderohet, lidhet
ngushtë me këtë Urdhër, themeluar nga Shën Pjetër Nolasko (1180-1245). Pjetri lindi
në Tuluzë të Francës rreth vitit 1180 e që në moshë të njomë u vendos, së bashku me
familjen, në Barcelonë të Spanjës. Lajmi i parë mbi praninë e tij në Barcelonë
është ai i viti 1203, kur thellësisht i hidhëruar për fatin e të krishterëve të kthyer
në skllevër nga maurët, asokohe zotër të një pjese të mirë të Spanjës, nisi të paraqitej
si tregtar, për të hyrë më lirisht ndërmjet muhamedanëve. I veshur kështu, mundi të
hyjë në Valencia, ku çliroi me para më se 300 skllevër. Si shpenzoi gjithë pasurinë,
mblodhi rreth vetes të rinj të tjerë bujarë, me të cilët nisi të lypte lëmoshë për
vijimin e çlirimit të skllevërve të krishterë, duke paguar një shumë në para ose në
sende të tjera, në përkim me moshën, kushtet shoqërore, ekonomike e fizike të robërve. I
frymëzuar nga Virgjëra Mari, më 2 gusht 1218 themeloi Urdhërin e ri rregulltar, që
do t’i kushtohej veprave të mëshirës e sidomos, çlirimit të skllevërve, edhe me flijimin
e vetë jetës, duke zënë vendin e skllavit, kur nuk mund të paguhej për çlirimin e
tij. Kështu rregulltarët, që nisën të njihen me emrin mercedarët, mundën të çlirojnë
më se 52 mijë skllevër. Urdhëri, të cilit iu shtua edhe dega femërore e murgeshave
mercedare, u miratua nga papa Gregori IX më 17 janar 1235. Kujtojmë se mercedarët
ishin të pranishëm, si kapelanë, në shtegtimin e Kristofor Kolombit, kur u zbulua
kontinenti i ri amerikan, ku themeluan kuvendin e tyre të parë në Santo Domingo.