2008-09-24 16:05:45

Kush paguan për krizën financiare amerikane?


(25.09.2008 RV)Përjetojmë në këtë moment një krizë financiare botërore, me origjinë në Amerikë, për të cilën bankat kryesore botërore vazhdojnë të ndërhyjnë me më shumë likuiditet në treg, gjë që s’bën tjetër, veçse tregon se janë akoma të dobëta. Masat e fundit bëjnë pjesë në atë “plan Marshall” të kërkuar nga presidenti amerikan Bush, për të dalë nga situata më e vështirë që nga viti 1930, koha e “the great depression” (depresioni i madh). Në Itali, Ministri i Ekonomisë, Xhulio Tremonti e ka krahasuar gjendjen me atë të Shqipërisë, në kohën e skemave piramidale.
Tri prej bankave kryesore të Uoll Stritit në SHBA nuk ekzistojnë më si entitete autonome. Shteti ndërhyri edhe me kombëtarizimin e dy gjiganteve të huave për pasuritë e patundshme, Fani Mei e Fredi Mek. Rezerva Federale dha 85 miliard dollarë për të shpëtuar Aig-un, gjigantin e sigurimeve. Në tërësi, financat publike amerikane kanë marrë përsipër deri tani, borxhe që arrijnë mbi 200 miliard dollarë – pak a shumë, aq sa duhen për të financuar një vit lufte në Irak.
A përdoren ashtu si duhet në këtë rast, paratë e taksave të popullsisë? Natyrisht, shërbejnë për të penguar përhapjen e krizës e kthimin e saj në sistem, por kjo do të thotë edhe se, ata që kanë qenë vërtet përgjegjës për krizën nuk paguajnë, ose paguajnë më pak, ndërsa dikush jo fajtor, si për shembull qytetari i thjeshtë, mund të ketë paguar tashmë, duke humbur shtëpinë, apo punën.
Një tjetër reflektim, që duhet bërë në këtë rast, është ndërhyrja e qeverive për të shpëtuar institucionet e mëdha financiare, duke lënë të falimentojnë të voglat. Në rastin e dytë, janë vetë institucionet që paguajnë për gabimet e tyre, por në rastin e parë, gabimet e një institucioni të madh mund të kenë pasoja mbi krejt sistemin, prandaj shteti ndërhyn për ta shpëtuar. Nuk është gjë e re: krizat e borxheve të vendeve të vogla e të varfëra ngjallin vetëm indiferencën e tregjeve e të qeverive, ndërsa për të kufizuar krizën e ndonjë vendi të madh e strategjik ndërhyhet menjëherë. Duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë asimetri në trajtim.
Pastaj është problemi i vendosjes së normave në tregjet financiare. Është e qartë se duhen rregulla, por është e vështirë të identifikohen ato. Fani Mei dhe Fredi Mek janë dy institucione të kontrolluara imtësisht, e megjithatë, as kjo nuk i shpëtoi nga kriza. Madje, disa rregulla, si të thuash, “e kanë ndihmuar krizën”. Në përgjithësi, normat më të mira, që mund të vendosim sot bazohen mbi përvojën e djeshme: prandaj, ato vijnë pas krizës e vështirë që mund ta parandalojnë atë. E rëndësishme është të nxirret vërtet mësim nga pësimet e së kaluarës.
Gjithsesi, nuk duhet pritur që tregjet financiare të bëhen të qëndrueshme nga respektimi i rregullave. Financa, në thelb, është një pakt besimi, që duhet t’i qëndrojë kohës dhe pasigurisë. Ka nevojë për përgjegjësinë e personave, që punojnë në gjirin e saj çdo ditë; ka nevojë që këta persona t’i ngrenë sytë nga objektivi i fitimeve afatshkurtër - të lehta për t’u arritur, por shumë të rrezikshme - për të gjetur raste investimesh të qëndrueshme, reale. Ka nevojë për impenjimin e studiuesve dhe të profesorëve jo vetëm për të sqaruar mekanizmat teknike të financës, por edhe natyrën e historinë e saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.