2008-09-23 16:07:51

Papa do të shkojë në San Xhovani Rotondo në vitin 2009. Lajmin e dha kard. Bertone


(23.09.2008 RV)Papa Benedikti XVI do të shkojë në San Xhovani Rotondo në vitin 2009, për t’i bërë homazhe Shën Pios nga Pietrelçina. Lajmin e dha sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, i cili kryesoi sot paradite kremtimin eukaristik pikërisht në qytezën jugore të Italisë, në ditën e festës liturgjike të shenjtit e të 40-vjetorit të vdekjes së tij:
“Benedikti XVI më tha që t’ju lajmëroj se çdo gjë është gati. Ati i Shenjtë do të vijë me gjithë qejf në San Xhovani Rotondo në vitin 2009”.
Duke përshkruar figurën e Shën Pios, kardinali Bertone nënvizoi dy aspekte themelore të fratit nga Pietralçina: besnikërinë ndaj Ungjillit dhe orientimin e vazhdueshëm drejt mbretërisë së qiellit. Atë Pio, që vazhdon të jetojë në misterin e Jezusit të vdekur e të ngjallur, “ishte dishepull i Krishtit që nuk deshi tjetër veçse të donte e të vuante për Të”. “Ishte meshtar – pohoi prelati – që nuk kërkoi gjë tjetër veçse të shkrihej në dashurinë për Zotin e për vëllezërit”:
“Ishte bir i sinqertë i Kishës, i cili edhe në rastet më të dhimbshme preferoi të mos mbrohej, duke e mohuar vetveten, i varrosur nën heshtjen e butë të bindjes torturuese, por të frytshme”.
Një përvjetor tjetër, që bie pikërisht këtë vit – kujtoi kardinali Bertone – është 90-vjetori i dukjes së plagëve të para të Krishtit në trupin e shenjtit. Atë Pio “riprodhonte dukshëm figurën e të Kryqëzuarit” dhe fizikisht, sa herë që jepte sakramentin e faljes, dëshmonte për çmimin e gjakut, që i është dashur të paguajë Krishtit. Plagët e Krishtit u kujtonin të gjithë atyre, që kërkonin ndërhyrje e mrekulli se sa kushtonin ato “hire”, që Zoti shpërndante me bujari.
Thelbi i jetës së Atë Pios përmblidhet në Meshën e Shenjtë, në kremtimin e përditshëm të Eukaristisë. Frati i Pietrelçinës i këshillonte të gjithë t’i afroheshin Jezusit, në një takim pa rezerva, siç mund të kuptohet edhe nga ky regjistrim i zërit të shenjtit:
“Të duam pa asnjë rezervë, pavarësisht nga shpërblimi, që Zoti ka në mend për ne – ajo është rrjedhojë – duke e bërë tonin moton e Shën Palit Apostull kur thotë: nuk dua të di gjë tjetër, veçse për Jezusin e për Jezusin e kryqëzuar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.