2008-09-22 17:24:06

Papa ipeshkëvijve të ri: të dashuruar në Krishtin për t'u shërbyer njerëzve.


(21.9.2008)RealAudioMP3 Ipeshkvi para së gjithash duhet të jetë i dashuruar në Krishtit e në shërbim të njerëzve, shembull i përsosmërisë ungjillore, i zhytyr në dëgjimin e Fjalës së Zotit për ta kumtuar atë në çdo rast të volitshëm e të pavolitshëm: kështu tha mes tjerash Papa Benedikti XVI në takimin e sotëm me pjesëmarrësit e kuvendit për Ipeshkëvijtë e ri organizuar këtyre ditëve në Romë nga Kongregata e Vatikanit për Ipeshkëvij e për Kishat Lindore.
Ati i Shenjtë Jozef Racinger e përshkroi figurën e ipeshkvit në kuadrin e dy ngjarjeve: atë të Vitit kushtuar Shën Palit e të Sinodit tashmë të afërt ipeshkvnor mbi Fjalën e Zotit, që do të mbahet nga data 5 deri më 26 tetor. E duke folur para ipeshkvijve të ri të shuguruar gjatë këtij viti, Benedikti XVI e tregoi si shembull për ta figurën e Shën Palit, në mënyrë të veçantë “dashurinë e tij të madhe për Jezu Krishtin”:
“Nga çasti i takimit të tij me Mësuesin hyjnor në rrugën e Damaskut, e tërë ekzistenca e tij qe udhëtim i përngjashmërisë së brendshme e apostolike me Të (Jezusin) mes persekutimesh e vuajtjesh (krh 2Tm 3,11). Vetë Shën Pali e quan veten njeri të ‘pushtuar nga Krishti’ (krh Fil 3,12) deri në atë pikë sa të thotë: ‘Nuk jam më unë që jetoj, por Krishti jeton në mua’ (Gal 1,20); e akoma: ‘ U kryqëzova bashkë me Krishtin. Këtë jetë që tani e jetoj në trup, e jetoj në fenë e Birit të Hyjit, i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua’ (Gal 2,20). Dashuria e Palit për Krishtin na emocionon e mallëngjen për nga intensiteti i saj”.
Dashuria për Krishtin do të thotë dashuria për Fjalën e Zotit e cila “duhet të ketë një vend qendror të padiskutueshëm në jetën dhe në misionin e ipeshkvit”, tha Papa:
“Ju bëj thirrje e ju këshilloj, të dashur Ipeshkvij, që të mbështeteni çdo ditë në Fjalën e Zotit për të qenë mësues të fesë dhe edukatorë të vërtetë të besimtarëve tuaj; jo si ata që bëjnë tregti me Fjalën e Tij, por si ata që me sinqeritet e të nxitur nga Hyji dhe nën vështrimin e tij flasin për Të (krh 2 Kor 2,17)”.
Në vazhdim të fjalimit, Papa citoi akoma Shën Palin duke i ftuar ipeshkëvijtë t’u bëjnë ballë “sfidave të mëdha të shekullarizimit” me forcën e Fjalës së Zotit, gjithmonë “besnikë në ruajtjen e pastër e të plotë të thesarit të fesë, të rrënjosur në bashkimin kishtar”:
“Predikoje Fjalën, nxit në rast të volitshëm dhe në rast të pavolitshëm, këshillo, qorto me dashamirësi, urdhëro me plot duresë dhe mësim…rri zgjuar në çdo gjë me kujdes’ (2Tm 4.2.5). Në dritën e këtyre fjalëve të Apostullit, mos pushoni së impenjuari me ‘këshilla, shembull, bindje, por edhe me utoritetin dhe pushtetin e shenjtë’ (LG,n.27) për të bërë të përparojë grigja që iu është besuar, në shenjtërinë e në të vërtetën e jetës”.
Ipeshkvi – vijoi Papa – duhet të jetë “njeri i Zotit”, sepse nuk mund të shërbehen njerëzit pa qenë më parë “shërbëtorë të Zotit”. Imepjimi i parë i një ipeshkvi është ai shpirtëror për të përparuar në përsosmërinë ungjillore e kështu të fitojë para njerëzve “atë autoritet moral të domosdoshëm dhe urtinë e matur, që kërkohet nga ai person që vendoset në krye të familjes së Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.