2008-09-22 17:30:54

Në Indi vazhdon vrasja e të krishterëve e shkatërrimi i kishave. Në rrezik kleri


(22.09.2008 RV)Nuk ndalen sulmet dhe dhuna kundër të krishterëve në Indi. Në shtetin e Orisës, ku që prej tri javësh po zbatohet një pogrom kundër katolikëve dhe protestantëve, janë vrarë edhe dy persona të tjerë. Gjendja është keqësuar edhe në shtete të tjera si Çatisgari, Madia Pradesh, Karnataka e Kerala, ku gjatë ditëve të kaluara, fondamentalistët hindù kanë goditur disa kisha të 1600-ës. Murgeshat e meshtarët janë detyruar të fshehin identitetin e tyre për t’u shpëtuar persekutimeve dhe kthimit me forcë në hinduizëm. Dje, kisha e Emrit të Shenjtë të Jezusit sëbashku me dy të tjera në Bangalore u sulmuan nga vandalët.
Sipas vëzhguesve, këto organizata ekstremiste kanë si pikë referimi partinë hinduiste Baratija Janata Parti. Vala e dhunës filloi menjëherë pas takimit kombëtar të kësaj partie në Bangalore, ku u përvijua strategjia për zgjedhjet e ardhshme kombëtare, që do të mbahen në marsin e ardhshëm.
Sot, kryeipeshkvi i Bangalores, imzot Bernard Moras u ankua publikisht para autoriteteve politike vendase, në praninë e gazetarëve. Shteti indian, që ka premtuar t’i mbrojë të krishterët, ka arrestuar deri tani 70 anëtarë të grupit radikal “Bajrang Dal”, duke përfshirë edhe kryetarin Mahendra Kumar, por kjo nuk e ka ndalur dhunën. Të krishterët, katolikë e protestantë, përbëjnë 2.5% të popullsisë një miliardëshe indiane, ndërsa rreth 80% e indianëve janë hinduistë.







All the contents on this site are copyrighted ©.