Në Engjëllin e Tënzot Benedikti XVI i ftoi liderët e botës t’i realizojnë objektivat
e Mijëvjeçarit në favor të të varfërve.
(22.09.2008 RV)Në lutjen e djeshme
të Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI bëri thirrje për të ndihmuar popullsitë e vendeve
karaibike e ato të jugut të SHBA-së. Më pas iu drejtua udhëheqësve të mbarë botës,
duke u kujtuar realizimin e objektivave të Mijëvjeçarit, të përcaktuara nga OKB-ja.
E madhe turma e besimtarëve, që e ndoqi lutjen e Papës. Ndërmjet tyre, shumë të rinj,
mbledhur në oborrin e Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos.
Në përfundim
të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa u drejtoi një përshëndetje të posaçme popullsive
të dashura të vendeve karaibike, të Haitit, Kubës, Republikës dominikane e atyre të
jugut të SHBA-së, posaçërisht banorëve të Teksasit, të dëmtuar rëndë nga ciklonet,
duke i siguruar të gjithë se lutet për ta e duke bërë thirrje për ndihmë: “Uroj,
veç të tjerave, që të arrijnë sa më shpejt ndihmat në zonat më të dëmtuara. Dashtë
Zoti që, së paku në këto rrethana, solidariteti e vëllazëria të fitojnë mbi çdo arsye
tjetër”. Më pas, Papa tërhoqi vëmendjen mbi takimin, që do të mbahet pranë
Pallatit të OKB-së në Nju Jork të enjten e ardhshme, më 25 shtator, për të kontrolluar
realizimin e objektivave të përcaktuara në Deklaratën e Mijëvjeçarit, nënshkruar më
8 shtator të vitit 2000. Në këtë takim marrin pjesë liderët e të gjitha vendeve të
Botës. Prej këndej, ftesa e Benediktit XVI: “… dëshiroj të përsëris ftesën që
të merren e të zbatohen me guxim masat e nevojshme për të çrrënjosur varfërinë e skajshme,
urinë, padijen e shuplakën e pandemive, të cilat godasin sidomos njerëzit më të ligshtë.
Një impenjim i tillë, ndonëse në këto çaste vështirësish ekonomike botërore, kërkon
flijime të veçanta, nuk do të vonojë të japë frytet e veta si në zhvillimin e Kombeve
që kanë nevojë për ndihmë nga jashtë, ashtu edhe për paqen e mirëqenien e mbarë Planetit". Para
se të kremtonte lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa komentoi, nga Ungjilli i djeshëm,
shembëlltyrën e zotërisë, i cili thërret në orë të ndryshme, punëtorë për të punuar
në vreshtin e vet. E, të jesh i thirrur është shpërblimi i parë, një ‘çmim në vetvete’,
për të cilin ia vlen të dërsish. Por këtë e kupton vetëm ai që e do Zotin e mbretërinë
e tij; ndërsa kush punon vetëm për pagë - shpjegoi Ati i Shenjtë – nuk do ta kuptojë
kurrë vlerën e këtij thesari të pallogaritshëm. Më pas Papa solli shembullin e
Shën Mateut, apostull e ungjilltar, që e tregon shembëlltyrën e që e jetoi edhe vetë
një përvojë të tillë. Ai, me zanat tagrambledhës, i konsideruar mëkatar nga të gjithë,
pas ftesës së Jezusit ‘Eja pas meje!” , bëhet nxënës i Krishtit. Nga i fundmi, u bë
i pari, falë logjikës së Hyjit që - për fatin tonë – ndryshon nga logjika e botës
– nënvizoi Benedikti XVI. E kështu edhe Shën Pali, të cilit sivjet i kremtojmë
vitin jubilar – vijoi të kujtonte Ati i Shenjtë – provoi gëzimin që buron nga thirrja
e Zotit për të punuar në vreshtin e Tij. E ç’ punë bëri – tha Papa - duke u kthyer
nga persekutues i njerëzve, në apostull të popujve, me vetëdijen se vetë puna për
Zotin është shpërblimi që merr njeriu mbi këtë tokë. E ky shpërblim është aq i madh,
sa e nxiti të thotë: “Vërtetë për mua Krishti është jetë e vdekja, fitesë”. Në
përfundim Papa kujtoi Virgjërën Mari, të cilën e nderoi një javë më parë në Lurdë,
duke e quajtur “shermend i përkryer i vreshtit të Zotit” e duke iu lutur të na ndihmojë
të gjithëve të gjejmë lumturinë, në sa punojmë për Mbretërinë e qiellit”. Në përshëndetjet
përfundimtare, drejtuar shtegtarëve, Papa u shprehu afërsinë e tij të sëmurëve me
Alzheimer, të cilëve u kushtohej Dita e djeshme ndërkombëtare, themeluar nga Organizata
Botërore e Shëndetësisë.