2008-09-22 17:30:32

Kardinali Tarçizio Bertone kroatëve: “Mos lejoni t’ju mashtrojnë e keqja dhe idhujt e rremë të modernitetit.


(22.09.2008 RV)RealAudioMP3 Mos e lini veten t’ju mashtrojnë joshjet e së keqes: është ftesa e kardinalit Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, drejtuar parmbrëmë të rinjve kroatë në katedralen e Zagrebit. Ndërsa dje, Hirësia e Tij- në tokën kroate që të enjten e kaluar për të kremtuar 1700-vjetorin e themelimit të Splitit e për të kujtuar shtegtimin apostolik të Gjon Palit II, dhjetë vjet më parë - kryesoi Meshën solemne në sheshin para vetë Katedrales, duke i bekur besimtarët kroatë, në emër të Papës e duke i nxitur ta dëshmojnë me guxim fenë e tyre në Krishtin.
Pasi u përcolli përshëndetjet e përzemërta të Benediktit XVI, kardinali Bertone u ndal posaçërisht tek figura e ndritur e kardinalit Stepinac, lumnuar nga Gjon Pali II, njeri që nuk e ndau kurrë jetën nga feja. Më pas i ftoi besimtarët të ecin në gjurmët e të Lumit, në udhën e besnikërisë e të shenjtërisë, të mirësisë e të bashkimit. Përballë ideologjive të rreme fashiste e komuniste, që në shekullin e kaluar shkaktuan aq shumë vuajtje, por edhe të vështirësive jo të vogla, që duhet të përballojnë besimtarët në kushtet e sotme shoqëroro-politiko-kulturore – pohoi kardinali Bertone - duhen edukuar me frymën e heroizmit e të shenjtërisë posaçërisht breznitë e reja. Është, prandaj, i domosdoshëm ungjillëzimi i ri, me mënyra e forma të reja katekizmi e veprimtarie misionare.
Më pas Hirësia e Tij i porositi besimtarët të ruhen nga idhujt e rinj të modernitetit, që sundojnë në shoqëritë kapitaliste perëndimore, posaçërisht nga miti i përfitimit e nga etja për para. Sekretari i Shtetit të Vatikanit shprehu besimin se kroatët do të jenë interpretues të urtë e të vetëdijshëm të traditës së tyre të krishterë, që e bëri popullin kroat, popull katolik e se do të dinë t’i përballojnë me guxim e urti sfidat e lindura nga takimi me progresin modern, me kulturën e sotme të liberalizmit e të relativizmit. “Ruajeni të paprekur thesarin e fesë dhe vlerat morale, trashëguar nga paraardhësit tuaj e përcilljani breznive të reja, që do të vijnë pas jush” - kjo është ftesa e kardinalit Bertone i cili, në përfundim të kremtimit, i bëri thirrje mbarë Kishës kroate të ndjekë me guxim shembullin e kardinalit Stepinac, duke përballuar, si ai, vështirësitë, vuajtjet e pengesat, për ta mbajtur fjalën, dhënë Krishtit e Kishës së Tij.
Lidhur me vizitën e kardinalit Bertone, që u largua dje nga Kroacia, ipeshkvijtë e vendit publikuan një notë, përmes së cilës nënvizojnë vlerësimin e Hirësisë së Tij për impenjimin baritor dhe projektet e përtëritjes, që po realizohen në favor të ungjillëzimit të ri, të jetës sakramentore e të jetës shoqërore të popullit kroat.







All the contents on this site are copyrighted ©.