2008-09-20 17:08:29

Një javë me Papën e me Kishën katolike


(21. 09. 2008 RV)Papa në audiencën e përgjithshme, kushtuar shtegtimit të tij në Francë theksoi se laiciteti i vërtetë nuk e përjashton përmasën shpirtërore.
“U takova simbolikisht me gjithë popullin francez. Ishte peng nderimi ndaj një Kombi të dashur, në të cilin Kisha, që nga shekulli II, luajti një rol të shquar qytetërues”. Me këto fjalë e kujtoi Benedikti XVI, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, mbajtur në sallën e Palit VI në Vatikan, vizitën e tij baritore në Francë. Papa ripërshkoi etapat e shtegtimit të tij të dhjetë apostolik ndërkombëtar, duke u ndaluar në çastet më simbolike e duke vënë edhe një herë theksin mbi mesazhin, që Maria i përcolli mbarë njerëzimit nga Lurda.
Kujtoi edhe takimin me botën e kulturës, në Kolezhë de Bernardë, ku u nis nga një reflektim mbi jetën murgare, për të nënvizuar se murgjërit, duke zgjedhur rrugën e dëgjimit të fjalës së Zotit, arritën tek kultura e fjalës e depërtuan në të fshehtat e shkencave.

U zhvillua në Romë javën që kaloi, simpoziumi i organizuar nga Fondacioni “Pave the Way” mbi Papën Piu XII dhe hebrenjtë. Pavarësisht nga akuzat që regjimet komuniste i kanë bërë shpesh atij, në simpozium u paraqit një dokumentacion i gjerë, i pabotuar, që vërteton se Piu XII nuk ka qenë aspak indiferent ndaj dramës së hebrenjve në Luftën II Botërore, por përkundrazi ka punuar me të gjitha mjetet për të shpëtuar sa më shumë prej tyre nga shfarosja naziste.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone përfundoi sot vizitën e tij në Kroaci, me rastin e 10 vjetorit të udhëtimit apostolik të Gjon Palit II në këtë vend e të shpalljes së Lum të kardinalit Stepinac, si edhe me rastin e 1700 vjetorit të themelimit të qytetit të Splitit. “Kisha që jeton në këtë tokën tuaj – u tha kardinali kroatëve – është larë me gjakun e martirëve dhe ka një lidhje të pazgjidhshme feje e bashkimi me Romën”.

“Familja edukon me vlerat njerëzore e të krishtera”: kjo është tema e takimit VI Botëror të Familjeve, që do të mbahet në Qytetin e Meksikos, nga 16 deri më 18 janar 2009. Papa nuk do të jetë i pranishëm, por do ta ndjekë nga afër, në mënyrë shumë konkrete këtë ngjarje të madhe, sepse e ka shumë për zemër familjen.

“Duhet një dëshmi e vërtetë e krishterë, për të përballuar me sukses sfidat e varfërisë, të dhunës e të shekullarizimit”: këtë pohoi Benedikti XVI duke pritur të premten e kaluar, në Kastel Gandolfo, ipeshkvijtë e Panamasë, në vizitë ad Limina Apostolorum.
Pasi kujtoi fenomene si varfëria, dhuna ndërmjet të rinjve, sektet e panumërta dhe korrupsioni, që trondisin jetën në vend, Papa nënvizoi sa e rëndësishme është shpresa e krishterë e cila, në këtë situatë, mund ta ndriçojë popullin e Panamasë.
 
Në Vjenë u mbajt takimi i drejtorëve kombëtarë për baritorinë e emigrantëve në Evropë.
“Jo thjesht emigrantë, por vëllezër e motra”: kështu titullohet komunikata e shtypit, që u publikua në përfundim të takimit, mbajtur nga 12 deri më 14 shtator në Vjenë. Pjesëmarrës, drejtorët kombëtarë të 21 vendeve evropiane, si dhe përfaqësues të Selisë së Shenjtë e të organizmave katolike ndërkombëtare. Dy ishin fjalimet kryesore, titulluar ‘Kontinenti afrikan dhe format e tij shprehëse në histori, kulturë, fe e shoqëri’ dhe ‘ Reflektim teologjik –baritor mbi bazën e një përvoje’.
Më pas tre relatorë nga Spanja, Austria e Belgjika, sollën përvojën e tyre në punën me emigrantët, me refugjatët politikë e, sidomos, me studentët. Rezultatet e punimeve në grupe u përmblodhën dhe iu paraqitën pjesëmarrësve të Konferencave ipeshkvnore dhe të kishave të vendeve të ndryshme. Mund të njihen më hollësisht në kanalin e internetit CCEE www.ccee.ch.
 
Një nënshkrim për jetën!
Me rastin e 10 dhjetorit 2008, ditë në të cilën Deklarata e të drejtave të njeriut mbush 60 vjet, lëvizjet evropiane në mbrojtje të jetës e të familjes (Fefa), po thellojnë përpjekjet për përhapjen e Peticionit evropian që mbrojnë jetën dhe dinjitetin të njeriut.
Peticioni duhet të nënshkruhet në vende evropiane, të ndryshme përsa i përket situatës politike, ndjeshmërisë e traditës kulturore. Prandaj organizatorët i lenë të lira ta formulojnë Peticionin në mënyra të ndryshme, por gjithnjë pa e prekur përmbajtjen kryesore: “Pohojmë se çdo qenie njerëzore ka të drejtë të jetojë që nga zënia, deri në vdekjen e natyrshme, ndërsa familja, e bazuar mbi martesën e një burri me një grua, që kanë të drejtë e detyrë të edukojnë fëmijët, duhet parë si bërthamë themelore e shoqërisë dhe e shtetit".







All the contents on this site are copyrighted ©.