365 ditë: "Zoti Leo Dypont, njeri i rëndomtë, i jashtëzakonshëm".
(20.09.2008 RV)Është e diele paradite e Kisha është krejt e qetë. Një grup
besimtarësh ndjek Meshën Shenjte. Jemi në vitin 1850, epokë në të cilën besimtarët
nuk janë aq të shumtë. Një pjesë e mirë e shikon fenë si paragjykim, në të cilin besojnë
vetëm budallenjtë, gratë e të varfërit. Zoti përjashtohet nga jeta publike e rrallë
kush shkon në Kishë, sepse shikohet me sy të shtrembër. Por sot, në çastin e kungimit,
ata pak njerëz, që janë ulur në bankat e para të Kishës, janë të lum, kur shikojnë
një burrë në një farë moshe, që merr kungimin krejt serioz. Të pranishëmt e njohin.
Është zoti Leo Dypont, njeri që i përket shoqërisë së lartë. E megjithatë, askush
nuk çuditet kur e shikon duke ndihmuar Meshë përvujtërisht. Zoti Dypont nuk e ka
mohuar kurrë fenë e vet e i kryen gjithnjë me kujdes të madh detyrat e tij si besimtar.
Ka pësuar shumë në jetë, por gjithnjë i është lutur Zotit, e posaçërisht në këto çaste.
Pas vdekjes së gruas, hoqi dorë nga detyra e tij si gjykatës në Ishullin e Martinikës,
në Karaibe, e shkoi të jetonte në Tur të Francës, ku rriti vajzën, që ishte ende e
vogël. Që kur arriti, njerëzit u çuditën kur panë se ky njeri i kamur largohej nga
shoqëria e lartë e afrohej gjithnjë më shumë tek Kisha. Që asokohe, i kalonte ditët
duke u lutur e duke bërë vepra të mira, kudo e thërriste zëri i mjerimit. Ndihmonte
të varfërit, të sëmurët, të burgosurit, analfabetët. Ishte gjithnjë pranë jetimoreve,
oratoreve, kongregatave në shërbim të nevojtarëve. Të gjithë e donin dhe e respektonin.
Për besimtarët ishte njeri shumë i rëndësishëm, sepse i siguronte e i përforconte
në fe. Nuk ishte prift, as rregulltar. Ishte njeri si gjithë të tjerët. E u tregonte
të gjithëve se askush nuk duhet të turpërohet, sepse beson në Zotin! Përkundrazi.
Që kur erdhi në Tur, shumë njerëz iu afruan fesë katolike. Zoti Dypont, me jetën e
tij të thjeshtë, dëshmoi se kushdo mund të jetë shenjt, sepse mesazhi i Krishtit u
drejtohet të gjithë njerëzve.