2008-09-20 17:15:14

365 ditë: "Dukja e Zonjës në Pontmein".


(21.09.2008 RV)“E tmerrshme. Kanë kaluar më se katër muaj, që kur burrat na u nisën për në luftë, e ne s’kemi asnjë haber prej tyre!”.
“E për më tepër, gjermanët kanë arritur tek portat e vendit” E si mund të mbahet ky vend, kur burrat janë larg e ndoshta-ndoshta, edhe kanë vdekur? Banorët e Pontmeinit, një fshat i Francës perëndimore, presin më të keqen. Jemi në fillim të vitit 1871, disa muaj pas fillimit të luftës, e të gjithë francezët e kanë humbur shpresën: perandori Napoleoni II e ushtria e tij janë shpartalluar. Vogëlushi Jozef Barbedetë, i pushtuar nga ankthi i të rriturve, vendos të dalë e të marrë pak ajër të freskët. Jashtë është natë, toka është e ngrirë e bën një e ftohtë polare. Në sa përplas këmbët për tokë, për t’u ngrohur, Jozefit i shkon mendja tek famullitari i fshatit. Është i vetmi, që nuk e ka humbur shpresën: u ka shpjeguar fëmijëve se duhet të luten, për të shpëtuar. Thua duhet t’i besojë?
Papritmas Jozefi çon sytë e mbetet i habitur. Në qiell shikon shumë më tepër yje se zakonisht. E bëjnë natën ditë. E ja, para tij, përmbi shtëpinë e fqinjve, qielli hapet. Duket një Zonjë e mrekullisht e bukur, që i buzëqesh. Është e veshur me rrobe blu, plot me yje. Kokën ia mbulon një vel i zi, mbi të cilin ndrit një kurorë ari. I trembur për vdekje, Jozefi lëshon një britmë të mprehtë e vrapon për të thirrur familjarët. Pas pak aty arrin i gjithë fshati, por askush nuk shikon gjë, përveç Jozefit e gjashtë fëmijëve të tjerë. Në fillim të rriturit mendojnë se fëmijët po tallen. E pabesueshme! E pra duken krejt të sinqertë. E pastaj janë ende tre yje të ndritshme, pikërisht në vendin që tregojnë fëmijët… Atëherë të gjithë nisin të luten. Tek këmbët e Zonjës duket një frazë, e shkruar me shkronja të arta. Fëmijët e lexojnë me nga-dalë: “Lutuni, bijtë mi, lutuni! Zoti do t’ju dëgjojë menjëherë. Im Bir do të preket nga lutjet tuaja”.
Banorët luten me gjithë zemër. Aty nga ora nëntë e mbrëmjes, Virgjëra zhduket, por shpresa rikthehet në zemrat e të gjithëve. Të nesërmen përparimi i ushtrisë gjermane ndalet. Disa ditë më pas, të dyja palët nënshkruajnë marrëveshjen e armëpushimit: lufta ka marrë fund. Tridhjetë e tetë burrat e Pontmeinit kthehen të gjithë, shëndosh e mirë, në shtëpi. Banorët janë të tronditur. Jozefi mendon se famullitari kishte plotësisht të drejtë. Jezusi është gjithnjë gati për t’i dëgjuar lutjet e njerëzve.







All the contents on this site are copyrighted ©.