2008-09-19 17:57:22

Të mos u jepen armë atyre që dhunojnë të drejtat e njeriut. Kërkesë e Amnesty International


(19.09.2008 RV)RealAudioMP3 Qeveritë duhet të pengojnë transferimin e armëve aty ku ekziston rreziku që ato të përdoren për të dhunuar rëndë të drejtat e njeriut. Kjo është thirrja e organizatës Amnesty International para mbledhjes së tetorit, në të cilën shtetet anëtare të OKB-së do të vendosin nëse do të vazhdojnë rrugën drejt Traktatit për tregtinë e armëve. Por cilët janë eksportuesit kryesorë të armëve? Të dëgjojmë Rikardo Nourin, zëdhënës i Amnesty International në Itali:
Eksportuesit kryesorë të armëve – sipas të dhënave të vitit 2006 – janë të gjitha shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit: pra shtetet e fuqishme, shtetet që mund të thonë fjalën e vet për fatet e njerëzimit, për paqen e sigurinë, por që e venë në rrezik këtë paqe e siguri përmes tregtisë së armëve, e cila është e paligjshme nga njëra anë, por e kontrolluar dhe e autorizuar nga qeveritë, nga ana tjetër. Qeveritë janë plotësisht përgjegjëse e pikërisht për këtë arësye, Amnesti u kërkon që të ekzistojë norma, sipas të cilës të mos dërgohen armë drejt atyre vendeve, që me shumë mundësi do t’i përdorin për dhunimin e të drejtave të njeriut.
Por cilat janë vendet ku armët përdorën për dhunimin e të drejtave të njeriut?
Sigurisht, rastet më të qarta janë ato të Darfurit, përveç Irakut dhe Kolumbisë. Në Darfur, ne kemi dy shtete anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit – Kina dhe Rusia – që dërgojnë armë vazhdimisht: helikopterë, avionë, municione, pistoleta dhe pushkë. SHBA dhe Britania e Madhe, edhe këto anëtare të Këshillit të Sigurimit, që nga viti 2003 kanë mbytur me armë Irakun, me objektivin për të riarmatosur dhe për të riorganizuar forcat e sigurisë së Bagdadit, por me rezultatin e armatosjes së grupeve të veçanta ose të furnizimit të tregut të zi.
Sipas jush, a do të pranohet kërkesa juaj?
Ne kemi besim se do të pranohet. Nga njëra anë, është e pakonceptueshme të qëndrohet duarkryq para vrasjes të së paku 1000 personave në ditë, për shkak të përdorimit të armëve të zjarrit. Nga ana tjetër, duhet thënë se ekziston edhe mobilizimi i shoqërisë civile, i Organizatave për të drejtat e njeriut, fushata e Amnesty, vota e 153 shteteve të OKB-së në dhjetor 2006 në favor të Traktatit. Megjithëse ndër ta ka vende eksportues të armëve, si Brazili apo Italia, vota tregon se po rritet vetëdija për dëmin që tregtia e papërgjegjshme e armëve po bën në jetë njerëzore, në fushën e sigurisë apo të qëndrueshmërisë. Jemi optimistë, por natyrisht nuk mund t’i lemë vetëm përfaqësuesit e qeverive të mbyllen në një sallë për të diskutuar mbi Traktatin, sepse ekziston rreziku që ai të ndryshohet apo të mbetet jo efikas.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.