2008-09-19 18:04:46

Takimi botëror i familjeve, në Meksiko: intervistë me kardinalin Antoneli


(19.09.2008 RV)“Familja edukon me vlerat njerëzore e të krishtera”: kjo është tema e takimit VI Botëror të Familjeve, që do të mbahet në Qytetin e Meksikos, nga 16 deri më 18 janar 2009. Dioqeza, familje, shoqata e lëvizje kanë filluar tashmë punën, si për të marrë pjesë drejtpërdrejtë në këtë festë, që përsëritet çdo tri vjet, ashtu edhe për ta ndjekur në vendet e tyre. Për këtë qëllim, Këshilli Papnor për Familjen ka hartuar dhjetë katekizma përgatitore, të përkthyera deri tani në gjashtë gjuhë, të cilat mund të kërkohen në kanalin zyrtar të internetit www.emf2009.com. Në këtë kanal mund të gjinden edhe mjete e dokumente të tjera ndihmëse si dhe mund të shkruhet emri për të marrë pjesë në Ditët Botërore kushtuar familjes.
Ngjarjet më të rëndësishme të Ditëve janë tri:
Kongresi teologjiko-baritor, që do të organizohet më 14 e 15 janar;
festa familjeve, të shtunën, më 17 janar, në tremen e Bazilikës të Shën Marisë së Gudalupes, me meditimin e pesë mistereve të Rruzares dhe dëshminë e pesë familjeve nga kontinente të ndryshme;
si dhe kremtimi eukaristik përfundimtar, më 18 janar, në Bazilikën e Guadalupes.
Kardinali Enio Antoneli, kryetar i Këshillit Papnor të Familjes, duke folur me gazetarët, pohoi se Papa nuk do të jetë i pranishëm në Qytetin e Meksikos, por do ta ndjekë nga afër ngjarjen e madhe, siç e shpjegon në këtë intervistë dhënë Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Gjëja e rëndësishme është se po studiohet mënyra e pjesëmarrjes së Papës, i cili nuk do të shkojë fizikisht, por do të jetë i pranishëm në Kongres në mënyrë shumë konkrete, shumë të fortë, sepse e ka shumë për zemër këtë ngjarje të madhe.

Pyetje - Hirësi, ky është takimi juaj i parë publik në nivel botëror si kryetar i dikasterit papnor. Cilat janë problemet kryesore që do të keni parasysh përsa i përket familjes?

Përgjigje: - Është e qartë se nuk mund të them akoma cilat janë përparësitë që do të kem parasysh, por mbi bazën e përvojës, do të theksoja dy vija: këshillimin me ipeshkvijtë e me vetë familjet si dhe me shoqatat e tyre, me institucionet që interesohen për ta, me specialistët përkatës, duke u përpjekur t’i aktivizoj të gjitha këto realitete.
Së dyti, do të nxis baritorinë e zakonshme me familjen, që ajo të jetë jo vetëm objekt, por edhe subjekt i baritorisë në famullitë e shoqatat. Kjo kërkon të krijohen rrjete, që ndihmojnë familjen, por edhe rrjete bazë, në nivel famullitar.







All the contents on this site are copyrighted ©.