2008-09-19 18:04:22

Papa ipeshkvijve panamezë: të dëshmohet shpresa e krishterë, për të mundur varfërinë, dhunën e shekullarizimin.


(19.09.2008 RV)RealAudioMP3 “Duhet një dëshmi e vërtetë e krishterë, për të përballuar me sukses sfidat e varfërisë, të dhunës e të shekullarizimit”: këtë pohoi Benedikti XVI duke pritur sot në Kastel Gandolfo ipeshkvijtë e Panamasë, në vizitë ad Limina Apostolorum.
Pasi kujtoi fenomene si varfëria, dhuna ndërmjet të rinjve, sektet e panumërta dhe korrupsioni, që trondisin jetën në vend, Papa nënvizoi sa e rëndësishme është shpresa e krishterë e cila, në këtë situatë, mund ta ndriçojë popullin e Panamasë:
“En su País, como en otros lugares, se están viviendo momentos arduos…”
Vendi jeton çaste të vështira, prandaj është posaçërisht urgjente që Kisha ta ndriçojë popullin, duke kontribuar për zgjidhjen e problemeve, që peshojnë rëndë mbi jetën e njerëzve e duke promovuar në shoqëri, miratimin moral të vlerave themelore. Është fjala për të dëshmuar lumturinë, që buron nga ndjekja e Krishtit e për të ndarë bashkë me të tjerët, gëzimin që lind në shpirt, kur e ndjen se Ai na do deri në fund të fundit. E kjo, në gjirin e një shoqërie, e cila përdor të gjitha mjetet për të imponuar vizionin e botës e të njerëzimit pa Zot; vizion që depërton çdo çast në jetën e përditshme; që përhap, përmes mjeteve të komunikimit shoqëror, individualizmin, hedonizmin, ideologjitë e doket, minuese për themelet e martesës, të familjes e të moralit të krishterë. Përballë një situate të tillë, duke i nxitur ipeshkvijtë ta thellojnë veprimtarinë e frytshme misionare, që vijon në vendin latino-amerikan, e duke kujtuar vizitën e Gjon Palit II në Panama, 25 vjet më parë, Benedikti XVI tregon rrugët që duhen ndjekur: lutja për thirrje meshtarake e rregulltare, por edhe përzgjedhja e kujdesshme e kandidatëve:
“…el Seminario, en el que ha de privilegiarse una seria disciplina académica…”
Benedikti XVI kërkon disiplinë serioze në Seminar, ku duhet krijuar hapësira e duhur për lutjen e përditshme, kremtimin e denjë të liturgjisë, drejtimin e përshtatshëm shpirtëror e vëmendjen e veçantë për kultivimin e virtyteve njerëzore e meshtarake. Pastaj, për vetë problematikën e vendit, ndjehet fuqimisht nevoja për punë të thelluar baritore me familjet. Mjeti që tregon Papa, është Doktrina Shoqërore e Kishës.
Ati i Shenjtë kujtoi edhe shembullin e shkëlqyer të misionarëve, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në Panama dhe i inkurajoi prelatët t’i thellojnë veprimtaritë baritore për përgatitjen e kremtimeve me rastin e pesëqind vjetorit të ungjillëzimit të vendit, që do të kremtohet gjatë vitit 2013.







All the contents on this site are copyrighted ©.