2008-09-19 18:04:35

Mesazh i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, me rastin e përfundmit të Ramazanit: “Të krishterët e myslimanët ta mbrojnë së bashku dinjitetin e familjes”.


(19.09.2008 RV)Këshilli Papnor për dialogun ndërfetar i dërgoi edhe sivjet, sipas traditës, një mesazh urimi botës islamike për përfundimin e Ramazanit. Mesazhi mund të lexohet në internet në disa nga gjuhët kryesore të botës, e edhe në gjuhën shqipe. Tema është ‘Të krishterë e myslimanë: së bashku për dinjitetin e familjes”. Në mikrofonin tonë, sekretari i dikasterit, kryeipeshkvi Pier Luigj Çelata:

Përgjigje: - Lidhur me familjen, na bashkon me myslimanët njohja e rolit të saj themelor për shoqërinë e për çdo njeri, që bën pjesë në të. Duke e parë këtë vlerësim të familjes, menduam të vëmë në qendër të vëmendjes pikërisht familjen, siç ceket edhe në citimin nga ‘Gaudium et Spes’ në mesazh. E kjo ka të bëjë jo vetëm me ndjenjën e përgjegjësisë e të respektit për dinjitetin e çdo njeriu si dhe me realizimin e çdo anëtari të familjes, por edhe me mundësinë për të punuar së bashku në këtë drejtim. E bashkëpunimi ka filluar që kur, gjë që është vërejtur në disa konferenca ndërkombëtare, në të cilat përfaqësitë e Selisë së Shenjtë e ato myslimane kanë mbrojtur së bashku disa nga vlerat themelore, që kanë të bëjnë me familjen, në të gjitha nivelet, sidomos në nivel ligjor e shoqëror, duke pasur mirë parasysh edhe krijimin e kushteve të nevojshme për edukimin e fëmijëve nga ana e prindërve. Nuk duhet harruar se kjo fushë është shumë e gjërë e, si pasojë, të shumta janë edhe pikat e takimit ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. Natyrisht nuk kemi vetëm të përbashkëta, por edhe ndryshime. Gjithsesi kjo nuk na pengon të punojmë së bashku.

Pyetje: - Si i pret bota myslimane këto mesazhe urimi nga ana e Kishës katolike?

Përgjigje: - Në përgjithësi, duke pasur parasysh jehonën që kanë e edhe disa letërkëmbime e reagime me shkrim, që marrim, mund të themi se priten në mënyrë shumë pozitive. Myslimanët e shikojnë se mesazhet tona janë miqësore, shprehin dëshirën për t’u afruar, për t’u njohur gjithnjë më mirë, për të ecur së bashku në mbrojtje të vlerave, që na përkasin njëlloj të dyja palëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.