2008-09-18 15:51:56

Simpozium në Romë kushtuar marrëdhënieve të Piut XII me hebrenjtë: Intervistë me Geri Krup


(17.09.2008 RV)Gjatë konferencës së shtypit, që u mbajt sot pasdite në Pallatin romak Salviati, u sintetizua puna treditore kushtuar Piut XII dhe veprimtarisë së tij në vitet e persekutimit të hebrenjve nga ana e nazifashizmit. Kryetari i Fondacionit ‘Pave the Way’ – ‘Hape rrugën’, organizator i simpoziumit, deklaroi se Piu XII shpëtoi më shumë hebrenj, se kushdo tjetër në historinë botërore.
Në simpoziumin, organizuar 50 vjet pas vdekjes së Papës, u analizuan një mori dokumentesh të panjohura, bazuar edhe tek dëshmitë gojore të njerëzve që i jetuan ngjarjet, të cilat hedhin poshtë akuzat për indiferencë, antisemitizëm e bashkëjetesë paqësore me regjimet totalitare, kundër Piut XII. Fondacioni ‘Pave the Way’ është një nga organizmat për dialogun ndërmjet feve të botës, me seli në Nju Jork. Dëshmitë dhe dokumentet, që ka mbledhur, janë edhe fryt i kërkimeve në Arkivin Sekret të Vatikanit. Ndërmjet akademikëve e personaliteteve të shumta fetare, të pranishme në simpozium, është edhe ipeshkvi Sergjio Pagano, Prefekt i Arkivit Sekret të Vatikanit si dhe atë Peter Gumpel, postulator i lumnimit të Piut XII. Gery Krup, anëtar i bashkësisë hebraike amerikane dhe kryetar i Fondacionit ‘Pave the Way’, u shpreh kështu, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - We have discovered…
Zbuluam se ka pasur probleme të mëdha në interpretimin e kësaj papnie, ndërkombëtarisht. E për 45 vjet me radhë e lamë në duart e historianëve. Shqetësimi ynë është që gjithçka të bëhet publike e të dëgjohet. E në se ju hapni kanalin tonë të internetit www.ptff.org , mund t’i dëgjoni të gjitha intervistat e t’i shikoni me sytë tuaj të gjitha dokumentet e të gjitha provat, që kemi mbledhur. Ideja e krijuar mbi këtë papni, është plotësisht e gabuar e ne duam të arrijmë pikërisht tek saktësia historike. Kjo, sigurisht, do t’ju bëjë të ndryshoni mendim, aq më tepër kur tashmë dihet se sulmi kundër Piut XII nisi më 1963, me dramën titulluar ‘Vikari’, shkruar Hochhuth i cili, siç u vërtetua më pas, ishte bashkëpunëtor i ngushtë i shërbimeve sekrete sovjetike, i ngarkuar për të hedhur baltë mbi figurën e Piut XII, përmes operacionit ‘Seat-12”.







All the contents on this site are copyrighted ©.