Shtohet uria nëpër botë. Imzot Xhordano: një shkandull i papranueshëm
(18.09.2008 R.V.)Shtohet numri i të uriturve
në botë. Alarmi u dha sot nga Zhak Dijuf, drejtor i përgjithshëm i Organizatës për
Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) me qendër në Romë. Për shkak të ngritjes së çmimeve të
ushqimeve numri i personave pa ushqim në botë ka shkuar nga 850 në 925 milionë. Por
cilat janë përgjegjësitë e bashkësisë ndërkombëtare dhe në veçanti të Europës. Mbi
këtë në mikrofonin e Radio Vatikanit flet imzot Aldo Xhordano, vëzhguesi i ri i përhershëm
i Selisë Shenjte pranë Këshillit të Europës.
Përgjigje: Gjëja e parë do të
thosha është se Europa duhet ta marrë seriozisht këtë dramë, sepse ndoshta jemi mësuar
t’i dëgjojmë këto numra dhe të mos shkandullohemi. Duhet të ndërgjegjësohemi se nuk
është më e pranueshme kjo situatë që shkakton madje edhe me mijëra e mijëra, me miliona
viktima. Nga ana tjetër Europa duhet të ripozicionohet në botë dhe të shohë përgjegjësitë
që ka kundrejt kontinenteve të tjera.
Pyetje: Shumë emigrantë vijnë në Europë
të shtyrë nga uria. Ju pohoni se bota po e ndërron fytyrën e Europës dhe se Europa
nuk duhet të mbyllet në vetvete...
Përgjigje: Bota po e redukton gjithnjë e
më tepër hapësirën e saj. Bota po bëhet më e vogël. Kështu që nëpërmjet komunikimit,
nëpërmjet zhvillimit shkencor dhe mbi të gjitha nëpërmjet emigracionit ne po formojmë
këtë të famshmin “fshat global”. E ky reduktim i hapësirës shtron edhe shumë probleme
të reja. Për sa kohë bota ishte shumë e madhe, për sa kohë popujt ishin shumë larg,
mendonim se kishte hapësirë për të gjithë, se kishte burime natyrore për të gjithë
dhe se kishte hapësirë për shumëllojshmërinë kulturore. Por në çastin kur loja nisi
të zhvillohet në shtëpinë tonë, atëherë, papritmas vumë re se ekziston problemi i
burimeve natyrore, i energjisë, i mjedisit, i ballafaqimit ndërmjet kulturave, problemi
i bashkëjetesës ndërmjet kulturave dhe feve.
Pyetje: Që nga 1 shtatori ju jeni
caktuar në postin e vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë Këshillit
të Europës. Cilat janë sfidat kryesore?
Përgjigje: Siç e dini, unë kam një
përvojë europiane 13-vjeçare si sekretar i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të
Europës, e jam i gëzuar që mund të vë në shërbim të Kishës këtë përvojë që kam grumbulluar.
Sfidat, kërkesat janë që të rizbulojmë krishterimin, pra të kapërcejmë një lloj injorance
mbi krishterimin, të gjejmë rrugë për bashkimin e të krishterëve, pra ekumenizmi.
Të gjejmë rrugë bashkëpunimi me besimet e mëdha të tjera. Kemi sfidën e urisë, e ky
është shkandulli që ne nuk duhet të lejojmë të harrohet. Kemi sfidën e mjedisit e
Papa po ngul këmbë kohët e fundit që shtëpia jonë të jetë e banueshme edhe për brezat
e ardhshëm.