2008-09-18 15:51:37

Papa në audiencën e përgjithshme, kushtuar shtegtimit të tij në Francë: "Laiciteti i vërtetë nuk e përjashton përmasën shpirtërore”.


(17.09.2008 RV)RealAudioMP3 “U takova simbolikisht me gjithë popullin francez. Ishte peng nderimi ndaj një Kombi të dashur, në të cilin Kisha, që nga shekulli II, luajti një rol të shquar qytetërues”. Me këto fjalë e kujtoi Benedikti XVI, në audiencën e sotme të përgjithshme, vizitën e tij baritore në Francë. Papa ripërshkoi etapat e shtegtimit të tij të dhjetë apostolik ndërkombëtar, duke u ndaluar në çastet më simbolike e duke vënë edhe një herë theksin mbi mesazhin, që Maria i përcolli mbarë njerëzimit nga Lurda.
“Çka i përket Qesarit, jepjani Qesarit e çka i përket Hyjit, jepjani Hyjit”: Benedikti XVI e mori shtytjen nga kjo shprehje e famshme e Jezusit, që e gjejmë në Ungjillin e Markut, për të shpjeguar se pikërisht në fushën e ‘rolit themelor qytetërues’, që luajti Kisha, fitoi pjekurinë kërkesa për ta dalluar drejtë sferën politike nga ajo fetare. Prej këndej, duke përsëritur fjalët e Krishtit, Benedikti XVI tha:
“Në qoftë se mbi monedhat romake ishte vulosur portreti i Qesarit, e prandaj i jepeshin atij, në zemrën e njeriut është vula e Krijuesit, Zotit të vetëm të jetës sonë. Prandaj laicitet i vërtetë nuk do të thotë të përjashtosh përmasën shpirtërore, por të pranosh se pikërisht kjo, rrënjësisht, garanton lirinë tonë dhe pavarësinë e realiteteve tokësore, falë normave të Dijes krijuese, që ndërgjegjja njerëzore di t’i pranojë e t’i zbatojë”.
Më pas Papa kujtoi takimet e shtegtimit të tij të dhjetë apostolik ndërkombëtar. U ndalua posaçërisht tek takimi me botën e kulturës, në Kolezhë de Bernardë, ku u nis nga një reflektim mbi jetën murgare, për të nënvizuar se murgjërit, duke zgjedhur rrugën e dëgjimit të fjalës së Zotit, arritën tek kultura e fjalës, depërtuan në të fshehtat e gjuhës, të cilën arritën ta kuptojnë në thellësitë e ndërtimit të saj. Prandaj – shtoi Ati i Shenjtë – u bënë të rëndësishme shkencat laike, që kishin për qëllim të hynin në të fshehtat e gjuhëve:
U zhvillua, si pasojë, pikërisht në kërkim të Zotit, në manastire, erudicioni i vërtetë, kultura e vërtetë, që formoi, pastaj, kulturën tonë. Pikërisht për këtë quaerere Deum, kërkim të Hyjit, të jesh gjithnjë për udhë drejt Zotit, mbetet edhe sot, ashtu si dje, rruga kryesore e themeli i çdo kulture”.
Për etapën e Katedrales së Shën Marisë së Parisit, Benedikti XVI kujtoi posaçërisht dy thesare të fesë së krishterë, që ua dorëzoi të rinjve: Shpirtin Shenjt e Kryqin:
Shpirti Shenjt i hap mendjes njerëzore horizonte, që i kapërcejnë aftësitë e saj dhe e bëjnë të kuptojë bukurinë e vërtetësinë e dashurisë së Hyjit, të zbuluar pikërisht në Kryq. Është një dashuri, nga e cila s’ka gjë në botë që mund të na ndajë e që shprehet duke dhuruar jetën, sipas shembullit të Krishtit”.
Ndërsa lidhur me Esplanadë des Envalid, duke rikujtuar fjalët e Shën Palit drejtuar Korintianëve, Papa i ftoi besimtarët e Parisit e të mbarë Francës, të kërkojnë Hyjin e gjallë, që na e dëftoi fytyrën e tij të vërtetë në Jezu Krishtin e pranishëm në Eukaristi, duke na nxitur t’i duam vëllezërit tanë, ashtu si na deshi Ai neve.
Pastaj, duke folur për Lurdën, e quajti qytezën e Pirenejve të Epërme “vend drite e lutjeje, shprese e kthimi në rrugën e Hyjit, ngritur mbi shkëmbin e dashurisë së Zotit, që arriti kulmin e dëftimit në Kryqin e lavdishëm të Krishtit. Në shkollën e Marisë, nxënësja e parë dhe e përkryer e të Kryqëzuarit - vijoi Benedikti XVI – shtegtarët mësojnë t’i shikojnë kryqet e jetës së tyre, pikërisht në dritën e Kryqit të lavdishëm të Krishtit:
Zoti na deshi aq, sa të jepte vetveten për ne: ky është mesazhi i Kryqit ‘mister i vdekjes e i lavdisë’. Kryqi na kujton se nuk ka dashuri të vërtetë, pa vuajtje, se nuk mund të dhurosh jetën, pa dhimbje. Shumkush e mëson këtë në Lurdë, që është shkolla e dashurisë në shërbim të vëllezërve. E pikërisht në këto rrethana feje e lutjeje u mbajt takimi i rëndësishëm me episkopatin francez: ishte një çast i thellë bashkimi shpirtëror, në të cilin ia besuam së bashku Virgjërës Mari dëshirat e shqetësimet e përbashkëta baritore”.
Papa u foli besimtarëve edhe për emocionin e thellë, që provoi, duke jetuar disa çaste në heshtjen e shtegtarëve, të thelluar në meditim e në lutje:
“Ishte prekëse heshtja e këtyre mijëra njerëzve, heshtja para Zotit; nuk ishte heshtje e zbrazët, por plot me lutje e me vetëdijen e pranisë së Zotit, që na do, që na deshi, deri në kryq”.
Më pas përfundoi me këto fjalë:
“Maria, duke u shfaqur para Shën Bernardetës, i çeli botës një hapësirë të privilegjuar, për të takuar dashurinë hyjnore, që shëron e shëlbon. Në Lurdë Virgjëra e Shenjtë na fton të gjithëve ta shikojmë tokën si vend të shtegtimit tonë drejt atdheut përfundimtar, që është Qielli”.
Në përfundim të katekizmit, Papa i nxiti të rinjtë të bëhen miq të Krishtit; të sëmurët, të gjejnë ngushëllim tek lutja; të sapomartuarit, të lidhen gjithnjë me Zotin, duke iu përgjigjur kështu thirrjes për krijimin e familjeve të vërteta të krishtera.







All the contents on this site are copyrighted ©.