2008-09-18 16:11:51

Imzot Luigji Negri për rolin e Kishës në Mijëvjeçarin e Tretë


(18.09.2008 RV)RealAudioMP3 Problemet me të cilat përballet sot bota, duket se janë të pafundme e të pazgjidhshme. Rasti i fundit qe persekutimi i të krishterëve në Indi e lufta në Kaukaz, ndërkohë që situata në Afganistan u ndez papritmas nga guerriljet islamike. Cili është roli i të krishterëve në dialogun me ata që i shmangen krishterimit e mbi të gjitha a mund të jetë më Kisha protagoniste e Mijëvjecarit të tretë në një botë, që duket se e ka harruar Zotin? Këtyre pyetjeve iu përgjigj në mikrofonin e Radio Vatikanit Imzot Luigji Negri, ipeshkëv i San Marino-Montefeltros:


Përgjigje: Unë besoj se Kisha është rikthyer si protagoniste e mijëvjeçarit të tretë, sepse sjell hirin e shpëtimit. Protagonizmi i vërtetë i njeriut qëndron në pranimin e shpëtimit, që Krishti ka sjellë. Por ky është edhe një çast që, nga ana kronologjike përputhet me fillimin e papnisë së Gjon Palit II, atëherë kur pati thënë se: “Misioni i Kishës në mijëvjeçarin e tretë është të rihapë dialogun ndërmjet Krishtit dhe zemrës së njeriut.” Duke kapërcyer, pra, çdo pengesë të llojit ideologjik, moralistik, duke iu shmangur matjes së Kishës me metrin e botës, duke kapërcyer orvatjen për ta dënuar botën ose për t’u pajtuar me të – dy tundimet kryesore që e përshkuan katolicizmin e shekullit XIX e XX - Gjon Pali II e pati kuptuar se koha moderne po i afrohej fundit. Mbase pati kuptuar edhe se dy aspektet më shkatërruese të kohëve moderne – nazismi dhe leninizmi, të cilët ai i kishte provuar në kurriz përveçse në ndërgjegje – po i afroheshin fundit. Pra, ndoshta zemra e njeriut po rihapej në kërkim të kuptimit dhe të bukurisë.

Pyetje: Imzot Negri, këto ditë u karakterizuan nga lajme, jo të mira, që kanë të bëjnë me Kishën në nivel ndërkombëtar si India apo edhe ngjarjet në Kaukaz. Zoti nuk duket se është protagonist në to…


Përgjigje: Historia e njeriut e si rrjedhojë historia e gjithësisë, janë të shpëtuara në zanafillën e tyre dhe në pikëmbërritjen e tyre përfundimtare, nga prania e Krishtit, por përgjatë historisë mbetet ky tension dialektik, ky vullnet mohues – ajo çka tradita e quan “misteri i paudhësisë” – është djalli që në çdo hap përpiqet, edhe pse e ka humbur luftën, të fitojë beteja të pjesshme. Mendoj se ne duhet ta kuptojmë se kjo është një dialektikë, që përshkon jetën e njeriut, pra edhe jetën e shoqërisë e që në ndonjë çast të jetës së shoqërisë, fiton një peshë që duket, si të thuash, e padurueshme dhe e pakapërcyeshme. Kam ndërmend homelinë e Gjon Palit II në vizitën e tij të parë në Aushvic: “Këtu ku djalli pat menduar të krijonte një botë krejtësisht pa Zot e kundra Hyjit, Zoti fitoi ndaj së keqes me dëshminë e Maksimilian Kolbes.” Atëherë, kur Zoti duket se ka pranuar të mos jetë protagonist, nevojitet që të krishterët ta ndjejnë veten si të vetmit që mund ta bëjnë Zotin rishtas protagonist, me dëshmitë e tyre.

Pyetje: Imzot Negri, sipas jush a është shpresa ende pjesë e jetës së përditshme të njerëzve të zakonshëm?


Përgjigje: Nuk bën pjesë tek jeta e përditshme e njerëzve dhe e thotë shumë mirë Benedikti XVI tek enciklika “Spe Salvi”, sepse njeriu sot rrezikon të mos ketë mundësi të ballafaqohet realisht me vetveten. Me fjalë të tjera nuk takohet me vetveten, por takohet me një realitet të organizuar që më parë, të parashikuar, e të paracaktuar nga antropologjia e kalimtares. Kjo është një tjetër shprehje e mrekullueshme e enciklikës “Spe Salvi”. Atëherë duhet të rilindë shpresa. Të rilindësh, do të thotë ta ndihmosh njeriun të kuptojë –përtej pamjes së jashtme të jetës së tij, që duket se është krejtësisht në dispozicion të të gjithëve e të gjithçkaje: që nga shteti deri tek mendësia e zakonshme, te mjetet e komunikimit shoqëror tek hedonizmi e erotizmi e sa e sa të tjera – se pushteti nuk jep shpresë, pushteti skllavëron e shumë shumë jep ndonjë shpërblim. Ja, duke i kapërcyer këto, njeriu kupton se është bërë për një Tjetër. Atëherë shpresa, o lulëzon rishtas tek njeriu ose nuk takohet më, sepse shpresa është një gjë, që takohet tek Jezu Krishti, por që i përgjigjet një kërkese të thellë të njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.