Kisha katolike përkujtoi Shën Jozefin nga Kopertino.
(18.09.2008 RV)Jozef Maria Deza,
i biri i Feliçe Dezës e i Françeskinës, lindi më 17 qershor 1603, në Kopertino të
Leçes, në një stallë, ku i jati merrej me punimin e qerreve. Varfëria e jashtëzakonshme
e familjes dhe shëndeti i lig nuk e lejuan të ndiqte rregullisht shkollën. E kështu
kur, gati 18-vjeç, shprehu dëshirën të bëhej françeskan, shumë kuvende ku trokiti,
nuk e pranuan, duke e gjykuar njeri me kulturë të mangët, tepër naiv e injorant e
sidomos, të çuditshëm, për shkak të disa fenomeneve, në të cilat ishte protagonist.
Jozefi nga Kopertino njihej për ekstazat e papritura, që e bënin të shkëputej nga
toka. Mundi të hynte në kuvendin e konventualëve të Grotelës, vetëm falë ndërhyrjes
këmbëgulëse të dajës së tij. Kur do të jepte provimet, për të cilat ishte fare i
papërgatitur, ipeshkvi dëgjoi dy-tre kandidatë të përgatitur shkëlqyeshëm dhe vendosi
t’i pranojë të gjithë mbarë. Ishte data 4 mars 1628. Jozefi u shugurua meshtar për
vullnet të Zotit. Por kjo nuk e shpëtoi nga nofka ‘Vëlla Gomari’ që ia ngjitën menjëherë
sivëllezërit në kuvend, ashtu si nuk e pengoi aspak të hynte, me ndikimin e drejtpërdrejtë
të Shpirtit Shenjt, në misteret më të thella të fesë së krishterë. Një profesor i
Universitetit françeskan të Shën Bonaventurës në Romë, tha për të: “E kam dëgjuar
të flasë për misteret e teologjisë aq thellë, sa nuk mund ta bënte as më i miri teolog
i botës”. Një teologu të madh françeskan të kohës, që e pyeti si mund të pajtohen
studimet e thella me thjeshtësinë françeskane, iu përgjigj: Kur dëshiron të studiosh
ose të shkruash, përsërit: “O Zot, ti je Shpirti, e unë jam boria. Por po
s’i fryve Ti, s’dëgjohet melodia!”. Iu desh të kalonte nga kuvendi në kuvend,
madje të delte edhe para gjykatësve të Zyrës Shenjte, të cilët patën rastin ta shikonin
me sytë e tyre në ekstazë e të bindeshin për shenjtërinë e tij. Më në fund u vendos
në kuvendin e kapuçinëve të Ozimos, ku jetoi shtatë vjet, deri në vdekje, duke vijuar
të provonte çaste ekstaze, të ngrihej nga toka e të bënte mrekulli. Vdiq më 18
shtator 1663 në moshën 60 vjeçare; u lumnua më 24 shkurt 1753 nga papa Benedikti XIV,
ndërsa shenjt u shpall më 16 korrik 1767, nga Papa Klementi XIII. Pushon në paqe në
kishën që i kushtohet, në Ozimo. Festa e tij liturgjike kremtohet më 18 shtator.
Ekstazat e Shën Jozefit, që e bënin të shkëputej nga toka, na flasin simbolikisht
edhe ne, njerëzve të kohëve moderne: besimtarët shikojnë tek ai, Shenjtin që i ndihmon
të fluturojnë lart, në qiellin e shenjtërisë.