2008-09-16 16:59:28

Mesazh i Papës për OKB-në: "Krejt familja njerëzore të përfitojë nga të mirat e globalizimit".


(16.09.2008 RV)Kombet e Bashkuara duhet të krijojnë mundësi të sigurta, që krejt familja njerëzore të përfitojë nga globalizimi: kështu pohon Papa Benedikti XVI në mesazhin për Kremtimin Ekumenik, që u organizua dje me rastin e hapjes së sesionit të Asamblesë së përgjithshme të OKB-së.
Në mesazhin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, Papa bashkohet me anëtarët e bashkësisë diplomatike dhe me funksionarët e Kombeve të Bashkuara të pranishëm, për t’iu lutur Zotit të mëshirshëm që t’u japë aftësinë e forcën e nevojshme për të plotësuar detyrat e vështira që e presin OKB-në në muajt e ardhshëm, përfshirë edhe vazhdimin e arritjes së objektivave të Mijëvjeçarit, programin Nepad dhe iniciativa të tjera, që kanë për qëllim t’i sigurojnë krejt familjes njerëzore ndarjen e të mirave të globalizimit.
Duke kujtuar me mirënjohje vizitën e tij në asamblenë e përgjithshme të OKB-së, në prillin e kaluar, me rastin e 60-vjetorit të deklaratës mbi të drejtat e njeriut, Papa – lexohet në mesazh – u përsërit thirrjen e tij liderëve ndërkombëtarë, që të ribëjnë të vetin një vizion të lartë moral e parimet e drejtësisë të sanksionuara në dokumentat themeluese të Kombeve të Bashkuara. Ati i Shenjtë uron që momentet e lutjes e të reflektimit të përforcojnë impenjimin e anëtarëve të asamblesë në përkrahjen e dinjitetit të çdo njeriu dhe në ndërtimin e një bote me gjithnjë e më shumë solidaritet, liri e paqe.
Por 60 vjet pas nënshkrimit të Deklaratës për të Drejtat e Njeriut, cila është gjendja e respektimit të lirive fetare në botë? Përgjigjet në mikrofonin tonë, imzot Çelestino Miliore, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së:
Do të thosha se ka drita e hije, por në kohët si kjo e sotmja, kur mendojmë se ç’po ndodh në Shtetin e Orisës, në Indi, mbizotërojnë hijet. Problemi është se tepër vende, kultura e tradita e interpretojnë të drejtën e lirisë fetare si një e drejtë, që i përket një territori, apo një kulture, ose një feje në veçanti, prandaj nëse në atë zonë shumica praktikon një fe të caktuar, nuk ka vend për të tjerat, përkundrazi: fetë e tjera konsiderohen si kërcënim. E drejta për lirinë e fesë u takon personave, individëve dhe grupeve. Kur qeveritë, shoqëritë civile – duke përfshirë edhe fetë – do të përqëndrohen në këtë kuptim të së drejtës për lirinë fetare, mendoj se liria e fesë do të respektohet më shumë në të gjithë botën.







All the contents on this site are copyrighted ©.