2008-09-16 14:43:00

365 ditë:"Fridrih Vilhelm Raifaizën themelon bankën për bujqit e vegjël" jemi në vitin 1864!


(16.09.2008 RV)“Mos u shqetëso, Ernesti im i dashur! Do ta gjej pa tjetër një rrugëdalje”. Fridrih Vilhelm Raifaizën e ndjek me sy njeriun, që largohet duke i hequr këmbët zvarrë. Ecën si të ishte plak, e pra nuk është as 30 vjeç. Nga ana tjetër, si mund të jetë ndryshe? Burri i varfër e mbyt veten në punë, për t’u siguruar ushqimin gruas e fëmijëve, por me gjithë djersën e derdhur, kriza bujqësore po e flak përsëri në mjerimin më të thellë. Siç i ndodh gjithnjë, kur takon ndonjë nga këta bujqër të dëshpëruar, kryetarit të bashkisë, Raifaizën, i dhemb zemra. Jo, nuk mund të rrijë duarlidhur. Do ta mbajë premtimin, për të gjetur një rrugëdalje.
Në Gjermaninë e kësaj epoke, fshatarët kalojnë vështirësi të rënda ekonomike. Prodhimet e tyre janë tepër të pakta, prandaj nuk mund t’u interesojnë bankave, të cilat nuk u japin hua. Kështu, e vetmja rrugëdalje për ta, është t’u drejtohen fajdexhinjve. Tani kuptohet se fajdexhiu ta jep huanë menjëherë, por kërkon interes astronomik. Kështu fshatari, që merr hua nga fajdexhiu, duhet t’i kthejë dyfishin. Prandaj, për njerëzit që kanë prona të vogla, ky është rrënim i pashmangshëm.
Raifaizën vendos të krijojë arka fshatare krediti. Katundarët më të pasur depozitojnë kursimet e tyre në këto lloj bankash, e bujqit e vegjël, pastaj, mund të marrin hua me kushte shumë të favorshme. Ky sistem e nis veprimtarinë aty nga viti 1864, por pak më vonë Raifaizenit i duhet ta modifikojë funksionimin, për ta bërë më të besueshëm e më të suksesshëm.
Kështu nisin bankat e kreditit bujqësor kooperativ, që bazohen mbi një parim shumë të thjeshtë e që përhapen menjëherë në Gjermani, pastaj në Francë, në Irlandë e deri në Indi. Fshatarët, që kanë nevojë për para, bashkohen për të marrë hua nga bankat e mëdha. Duke qenë shumë, mund t’i japin bankës garanci të mjaftueshme, kështu ajo pranon t’u japë hua. Shuma e marrë ndahet, pastaj, ndërmjet bujqëve të ndryshëm. Ndarjen e bëjnë personalitetet vendase, ose famullitari.
Edhe sot krediti kooperativ i Fridrih Vilhelm Raifaizën frymëzon shumë shoqata katolike, duke u krijuar mundësinë t’u japin hua më të varfërve, për t’i shpëtuar nga mjerimi.







All the contents on this site are copyrighted ©.