2008-09-15 18:15:16

Rast i volitshëm për t’u kthyer te Zoti. Këtë thirrje Papa i bëri shoqërisë së globalizua në përfundim të vizitës në Francë


(15.9.2008 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI e përfundoi sot shtegtimin e tij baritor në Francë, ku ishte me rastin e 150-vjetorit të dukjeve të Virgjërës Mari në Lurdë. Ceremonia e lamtumirës u mbajt në aeroportin e Tarbë-Lurdës, në praninë e kryeministrit francez, Fillon. Papa arriti në aeroportin e Çampinos rreth orës 15. 15 e, prej këtu, u nis menjëherë për në Kastel Gandolfo. Për ceremoninë e lamtumirës, të ndjekim të dërguarën e Radio Vatikanit, Françeska Sabatineli:

 
“Një diptik; kështu e quajti Benedikti XVI, duke u larguar nga Franca, udhëtimin e tij të dhjetë ndërkombëtar, gjatë të cilit ishte në Paris e në Lurdë. Në përshëndetjen drejtuar autoriteteve, pak para nisjes, kujtoi etapat e kësaj vizite baritore, duke nënvizuar një nga qëllimet kryesore: “Inkurajimin e popullit të besimtarëve që, krenarë e të fortë në fe, t’i jetojnë vendosmërisht mësimet e Krishtit e të Kishës së tij”. Në kryeqytet e bëri këtë me Meshën në Esplanadë des Envalide; pastaj gjatë takimeve me të rinjtë, me priftërinjtë, me rregulltarët, rregulltaret e seminaristët, ashtu si edhe me botën e kulturës, përfaqësuesit e së cilës – shpjegoi Ati i Shenjtë – i hapin rrugën dialogut ndërmjet fesë e arsyes, ndërmjet Hyjit e njeriut. E nga Parisi, shkoi në Lurdë, figura e dytë e diptikut, për arsyen kryesore të këtij shtegtimi, 150-vjetorin e dukjeve të Virgjërës Bernardetës Subiru. Lurda është si dritë në errësirë, në ecjen tonë nëpër terr drejt Hyjit – tha Benedikti XVI – Maria na hapi një portë drejt jetës së përtejme, që na pret e na josh. E Ati i Shenjtë për tre ditë u ul në bankat e shkollës së saj:

"Papa – janë fjalët e tij – e kishte për detyrë të vinte në Lurdë për të kremtuar 150-vjetorin e dukjeve; përpara shpellës së Masabielës, u luta për ju të gjithë. U luta për Kishën. U Luta për Francën e për Botën”.

 
Benedikti XVI shkoi si shtegtar në Lurdë, ku kremtoi dy Meshë, mori pjesë në procesionin me qirinj të ndezur e në procesionin eukaristik, duke ndjekur katër etapat e shtegtimit të Jubileut. U lut me e për të sëmurët “që vijnë të kërkojnë lehtësim fizik e shpirtëror”, u takua me ipeshkvijtë e vendit, për të reflektuar e për të shkëmbyer ide mbi rolin e tyre si barinj e edhe për t’u bindur, së bashku me ta, se kohët janë të favorshme për rikthimin e Zotit. Në përfundim Benedikti XVI i përshëndeti besimtarët francezë, duke nënvizuar se, edhe nga Roma, do të jetë gjithnjë pranë tyre:

“Kur të ndalohem para Shpellës së Lurdës, e cila që prej një shekulli ndodhet në Kopshtet e Vatikanit, do të mendoj për ju!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.