2008-09-15 18:15:00

Mesha me të sëmurët. Papa: “Kërkoni buzëqeshjen e Marisë, pasqyrim i vërtetë i dhembshurisë së Zotit, burim i shpresës së pathyeshme".


(15.09.2008 RV)Sot paradite Papa kreu Etapën e katërt e të fundit të Shtegtimit të Jubileut, duke shkuar për vizitë pranë Oratorit, ku Bernardeta mori kungimin e parë. Në Lurdë vendi i parë u takon të sëmurëve: prandaj, në këtë vizitë baritore, nuk mund të mungonte një Meshë kushtuar pikërisht atyre. Shumë fytyra, histori vuajtjesh, shpesh të heshtura, por edhe shumë dritë misterioze në thellësitë e kësaj errësire. Papa u dha të sëmurëve përqafimin e Zojës së Dhimbshme, të cilën Kisha e përkujtoi sot. U kujtoi se edhe Zoja qau tek këmbët e kryqit. Por, vetëpërmbajtja e Zojës – nënvizoi Ati i Shenjtë - na pengon ta masim humnerën e dhimbjes së saj. E ashtu si për të Birin, mund të pohojmë se kjo vuajtje e çoi edhe atë drej përsosurisë, duke e bërë të aftë të pranojë misionin e ri shpirtëror, që ia besoi i Biri. U bë Nëna e Krishtit dhe e gjithë gjymtyrëve të tij.

"Marie est aujourd'hui dans la joie et la gloire de la Résurrection ...
Maria – vijoi Papa - është sot në lavdinë e Ringjalljes. Lotët, që derdhi tek këmbët e kryqit, u shndërruan në një buzëqeshje, që s’mund ta shuajë më asgjë, ndonëse mbetet gjithnjë plot me dhembshuri amtare për ne. Maria e do secilin nga bijtë e saj, duke e përqëndruar vëmendjen posaçërisht mbi ata që, ashtu si i Biri në orën e mundimeve, janë pre e vuajtjes; i do në mënyrë të veçantë, sepse janë bijtë e saj, sipas vullnetit të Krishtit në Kryq”.

 
Papa e kujtoi Krishtin si mjek të vërtetë, që vuan vetë, për të shëruar të tjerët, që shkon të banojë në njeriun e pushtuar nga sëmundja, për ta ndihmuar ta durojë e për t’i hapur rrugën amshimit. Njeriu nuk e mbart më provën i vetëm. Si gjymtyrë e sëmurë e Krishtit, bëhet një me Atë, që ia fal vetveten Atit, e në Të merr pjesë në lindjen e krijesës së re.







All the contents on this site are copyrighted ©.