2008-09-15 18:15:30

Atë Lombardi: një bilanc shumë pozitiv. Udhëtimi i Papës i arriti plotësisht qëllimet.


(15.09.2008 RV)RealAudioMP3 Për një bilanc të shtegtimit të Papës në Francë, të dëgjojmë drejtorin e Sallës vatikanase të Shtypit, Atë Federiko Lombardin, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Natyrisht është një bilanc shumë pozitiv. Më duket se ky udhëtim në Francë radhitet në serinë e udhëtimeve të këtij viti, duke nisur nga ata në SHBA e Australi, në të cilat pamë një mikpritje të ngrohtë, pa paragjykime, që i krijoi Papës kushtet për ta përçuar mesazhin e tij me qetësi, si për Kishën ashtu edhe për shoqërinë. Prej këndej, natyrisht edhe jehona shumë pozitive, që u ndje këtu në Francë e kudo, dëshmojnë se udhëtimi i arriti plotësisht qëllimet.

Pyetje: - A Mund të thuhet se Franca, në se e krahasojmë me mënyrën si u dukej disave, ka ndryshuar?

Përgjigje: - Sigurisht kjo temë e laicitetit dhe e laicitetit pozitiv, në atmosferën e së cilës u hap vizita me takimin në Elizé, disave iu duk diçka krejt e re, që flet për klimë qetësie, frymë ndërtimtare, aftësi për dialog, për bashkëpunim, në mënyrë që, nga ana e institucioneve të ndryshme – si nga ana e Shtetit, ashtu edhe e Kishës – të jepet kontributi më i madh, për të mirën e përbashkët të qytetarëve.

Pyetje: - Lurda ishte etapa kulmore e shtegtimit…

Përgjigje: - Po, etapa e Lurdës ishte etapë kulmore nga pikpamja shpirtërore, ndonëse sigurisht edhe në Paris, si Lutjet Mbrëmësore në Notre-Dame, ashtu edhe Mesha e madhe në Esplanadë des Envalide, ishin të një cilësie shpirtërore tronditëse. Një pjesëmarrje e madhe, pjesëmarrje e vëmendshme, që la të kuptohet se edhe në kryeqytet Kisha është e gjallë, se është burim i përshpirtërisë së popullit të krishterë, me karakteristikën e vet të posaçme të dhëmbshurisë mariane. Papa, në homelitë e tij, në fjalimet e tij, bëri një katekizëm të vërtetë, duke u nisur nga dukjet. Jam shumë i prekur nga kjo veçanti: diti të vërë në pah temën e dritës, karakteristike për dukjet e Zojës së Bekuar në Shpellë, temën e ndërtimit të Kishës, që Zoja e kërkoi gjatë dukjeve; temën e orientimit kristologjik e teocentrik të dukjeve të Marisë, që lutej bashkë me Bernardetën në çastin e ‘Gloria Patri’ – ‘Qoftë lavdi Atit’. E pastaj, një gjë shumë e bukur, sot preku temën e buzëqeshjes së Marisë, e cila i pret e u jep gëzim e paqe në zemër, të gjithë atyre që i luten plot besim Zotit, në përvujtërinë e varfërinë e tyre. Më duket se tema e buzëqeshjes së Marisë dhe e shpresës, që buron prej saj, ishin të natyrshme në përfundim të këtij shtegtimi, i cili tregon thesarin e madh që ka Kisha, për të ndihmuar në gjetjen e kuptimit të jetës edhe në situata të vështira.

Pyetje: - Ç’mund të themi për takimin me ipeshkvijtë francezë…

Përgjigje: - Papa natyrisht u takua me Kishën franceze përmes të gjithë ipeshkvijve e i dha asaj një mesazh. I dha qetësisht një mesazh, i cili saktësoi disa orientime. Është diçka që pritet nga Papa, si bari universal, që jep drejtime, orientime. Dha orientime, që kanë të bëjnë me problemet e Kishës në shoqërinë franceze: me mungesën e thirrjeve e të meshtarëve, me problematikën e familjes, problematikën e dialogut ekumenik e ndërfetar, problematikën e dialogut me shoqërinë. Dhe këtë e bëri në mënyrë të qetë e ndërtimtare. Prej këndej mund të themi se ata, të cilët flisnin për një situatë të vështirë të Kishës franceze, sigurisht gjejnë tek Papa një besim të plotë, një injeksion besimi, sepse kur rilidhesh me burimet e përshpirtërisë së krishterë, të fesë, mund të përballohen edhe situatat më të vështira, duke ecur përpara me bindjen për të dhënë një kontribut pozitiv. Nga ana tjetër, edhe fjalimi i madh kushtuar kulturës, ai që Papa e mbajti në Kolezhë de Bernardë, krijoi qartë pështypjen se biseda mbi rrënjët e krishtera, mbi të cilën papët kanë ngulmuar aq shumë, nuk është sllogan, por diskutim me përmbajtje të pasur e të saktë. Papa i bëri të gjithë të shikojnë qartë se pikërisht duke u nisur nga kërkimi i Zotit, duke u nisur nga jeta rregulltare, zhvillohen shumë përmasa të kulturës: përmasa e letërsisë, e arteve, e muzikës, e shpjegimit të teksteve, e veprimtarisë, e zellit për punë praktike, përmasa këto absolutisht themelore të kulturës sonë evropiane. Prandaj mund të themi se Kisha, seli e krishterë, ndjehet e pranishme në thellësi të kulturës sonë e dëshiron të jetë edhe në të ardhshmen.







All the contents on this site are copyrighted ©.