2008-09-15 18:16:05

365 ditë: "Teofan Venard, misionar në Vietnam".


(15.09.2008 RV)I mbyllur në një kafaz bambuje, në perandorinë e largët të Anamit (emri i lashtë i Vietnamit) një djalosh i burgosur lutet. Quhet Teofan Venard, është francez e sapo i ka mbushur 31 vjetët. Nuk i ka parë familjarët prej tetë vjetësh, por nuk trishtohet aspak: e zgjodhi vetë rrugën e misionit, larg Francës, larg familjes, miqve e dashamirëve. Kanë kaluar nëntë vjet, që kur vendosi të bëhej misionar.
“Kur të rritem, do të nisem drejt tokave të largëta, për t’ua kumtuar fenë time popujve, që nuk e njohin”, mendonte që i vogël.
Për ta realizuar këtë dëshirë kaq fisnike, nis studimet në seminar, ku përgatitet për misionin meshtarak. Pastaj, më 1852, u tregon prindërve, vëllezërve e motrave se ka vendosur të niset për në Azi e se duhet të jenë të kënaqur për të, sepse e ndjen veten vërtetë të lumtur.
Niset të ndihmojë misionarët, prej kohe të pranishëm në këto troje, për të formuar meshtarë të rinj.
Si arrin në vend, e fillon misionin me pasion të jashtëzakonshëm, duke vënë në shërbim të tij, të gjitha energjitë. Por punët nuk janë aspak ashtu, si i përfytyronte. Perandori nuk i pranon më misionarët, të cilët nisin të perskutohen gjithnjë më shumë. Për shkak të këtyre persekutimeve, Teofani detyrohet shpesh herë të ikë e të fshihet. Përveç kësaj, sëmuret edhe nga tuberkulozi. Brenda dy vjetësh sëmundja e rëndë ia shkrin krejt trupin, veç jo entuziazmin. Një ditë njëri nga të tijtë e tradhton. E kapin. Por ai është aq i sjellshëm e buzagaz, sa rojet nuk e keqtrajtojnë. Madje mundohen t’ia lehtësojnë sadopak jetën në burg, ndër pranga.
Teofani u flet rojeve për fenë e tij e këta e kuptojnë, por feja katolike është e ndaluar. Në se dëshiron të shpëtojë jetën, duhet ta mohojë! Nxiret para gjyqit, po ai nuk pranon ta mohojë Zotin e vet: është gati të vdesë, para se ta tradhtojë. Atëherë dënohet me vdekje!
I mbyllur në kafaz, pret me durim çastin e fundit. Dikush, fshehurazi, i jep diçka për të ngrënë e disa hoste. Një meshtar vishet si mandarin, për t’i dhënë sakramentet e fundit. Teofanin e duan shumë njerëz. E duan, por s’mund ta shpëtojnë. Më 2 shkurt 1861, një grup ushtarësh e shoqëron gjatë brigjeve të Lumit të Kuq, deri te vendi i ekzekutimit. Ai vijon të lutet, duke përgatitur, kështu, për të hyrë në mbretërinë e Zotit.
Do të shpallet shenjt një shekull më pas, së bashku me njëqind e gjashtëmbëdhjetë martirët e Vietnamit.







All the contents on this site are copyrighted ©.