2008-09-14 19:00:59

Papa në Lurdë: Mesha për 150 vjetorin e dukjeve të Zojës Bekuar Bernardetës


(14.09.2008 RV)RealAudioMP3 Mesazhi i Zojës së Lurdës është ftesa për pendesë e për shëlbim: Benedikti XVI e përsëriti, duke kremtuar para dyqind mijë besimtarëve, në Prairie, Meshën me rastin e 150-vjetorit të dukjeve të Zojës Bernardetës, ditën kur Kisha kremton festën e Naltimit të Kryqit.
Nga Lurda – e dërguara e Radios sonë, Françeska Sabatineli:

Misteri i Kryqit, flijimi i Krishtit për shëlbimin e botës, është mesazhi që Zoja e Bekuar ua besoi njerëzve; e ky mesazh vjen përsëri nga Shpella e Lurdës, duke i ftuar të gjithë të pendohen, të kthehen e të shpresojnë. Benedikti XVI, nga Lurda, u foli mijëra besimtarëve, që përshkuan gjithë Francën e erdhën nga vende të ndryshme, për ta dëgjuar me rastin e 150-vjetorit të dukjeve të Zojës. Nga Lurda Papa u kujtoi atë që Maria vijon t’u dëftojë njerëzve: shenja e Kryqit, sintezë feje, na siguron se pushteti i dashurisë është më i fortë se çdo e keqe, që mund të na kërcënojë:

“Elle invite tous les hommes de bonne volonté, tous ceux qui souffrent…
Ajo i fton të gjithë njerëzit vullnetmirë dhe të gjithë ata që vuajnë në shpirt e në trup, t’i sjellin sytë drejt Kryqi, për të gjetur aty burimin e jetës e të shëlbimit”.

 
Kremtimi i Jubileut të dukjeve, mesazhi i Lurdës, mund t’i japë një hov të ri fesë e mund ta fuqizojë më tej Kishën, për ta kumtuar me guxim gjithnjë më të madh misterin e Krishtit. Maria zgjodhi Bernardetën për të transmetuar mesazhin e saj të kthimit, të lutjes, të pendesës. Maria na zbulon, në Lurdë, bukurinë e shndërruar, figurën e njerëzimit të ri:

“Marie exprime en réalité une attitude de peline liberté...
Maria shpreh sjelljen e lirisë së plotë, bazuar mbi njohjen e plotë të dinjitetit të vet. Ky privilegj u përket të gjithëve, sepse zbulon dinjitetin e njerëzve të dënuar nga mëkati, por të shpëtuar në shpresë, gjë që i ndihmon ta përballojnë jetën e përditshme”.

 
Maria në Lurdë na kujton rolin qëndror që ka lutja në jetën e të krishterëve. E Papa iu drejtua të rinjve, të mbledhur rreth Kryqit të DBR-së, që e duartrokisnin, e thërrisnin me emër, e u kërkoi të mos e humbasin guximin përballë vështirësive. Duke i nxitur të marrin shembull nga Maria përballë Kumtimit të Engjëllit, i ftoi, ashtu si dje, gjatë Meshës së kremtuar në Paris, t’u përgjigjen thirrjeve të Zotit, sepse ai mund t’ ua plotësojë dëshirat më të thella të zemrave të tyre:
 
“À ceux, parmi vous, que le Seignerur appelle à sa suite...
Atyre që Ai i thërret ta ndjekin në rrugën meshtarake ose rregulltare, Papa u kujton gjithë lumturinë, që ndjen njeriu, kur e dhuron plotësisht jetën e vet në shërbim të Hyjit e të njerëzve”.

 
Urimi i Atit të Shenjtë është që familjet dhe bashkësitë e krishtera të bëhen vende, ku mund të lindin e të fitojnë pjekurinë thirrje të reja në shërbim të Kishës e të botës. Maria – përfundoi Papa - ju fton të jetoni si ajo, plot me shpresë të pamposhtur e duke mos ua vënë veshin atyre, që pretendojnë se ne jemi të burgosurit e fatit.

E para Marisë – tha më pas Benedikti XVI gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot – njeriu nuk ngurron të shfaqet me të gjithë ligështinë e tij, të bëjë pyetje, të shkarkojë dyshimet e dëshirat më të fshehta. Dashuria për Marinë çarmatos çdo formë të mburrjes e, falë Asaj, zbulojmë se feja e krishterë nuk është barrë e rëndë.
Benedikti XVI e përfundoi lutjen e Engjëllit të Tënzot duke përshëndetur turmën shumëkombëshe, që mori pjesë në Meshë, e duke u uruar të gjithëve ta presin me gëzim mesazhin që Zoja e Papërlyer ia besoi Shën Bernardetës:

“Preghiera e conversione….
Lutja e kthimi i zemrave janë rruga për ta rinuar botën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.