2008-09-14 18:25:14

Kisha katolike përkujtoi Naltimin e Kryqit të Shenjtë.


(14.09.2008 RV)RealAudioMP3 Kisha kremtoi sot solemnitetin e Naltimit të Shëna Krygjës, festë që e ka zanafillën në Jeruzalem më 14 shtator të vitit 335. Këtë ditë u shuguruan dy bazilikat e ngritura nga Perandori Kostandin për të mbrojtur e për të nderuar viset ku Jezu Krishti përmbushi misterin e vet të Pashkëve, misterin e vdekjes e të ngjalljes. Shumë reflektime janë bërë e vijojnë të bëhen për misterin më të madh të fesë së krishterë. Ndërmjet tyre, po kujtojmë sot reflektimin e Benediktit XVI në Këln drejtuar të rinjve të mbarë botës dhe reflektimin e Gjon Palit II:

“Zoti në këtë botë nuk bën konkurencë me format tokësore të pushtetit. Nuk u kundërvë përçarjeve, përçarje të reja. Jezusit në Kopshtin e Ullinjve Zoti nuk i çon dymbëdhjetë legjone engjëjsh për ta ndihmuar. Pushtetit të potershëm e prepotent të kësaj bote, Krishti i kundërvë pushtetin e çarmatosur të dashurisë, që vdes mbi Kryq e, megjithatë, krijon një gjë të re, hyjnore, e cila pastaj i kundërvihet padrejtësisë dhe ngre mbretërinë e Hyjit”.

 
E Gjon Pali II“Letrën drejtuar familjes”, duke u frymëzuar nga Paskali, nënvizon: “Krishti hyri në botë me kryq. Kryqi është simboli i shpërblimit e i shëlbimit, por edhe paradigma e jetës të të krishterit”.

 
Në ditën e festës së Naltimit të Krygjës ne e shikojmë Kryqin si lavdi e simbol, si rrugë nëpër të cilën duhet ecur ditë për ditë, në përpjekjen për t’iu afruar lumnisë së qiellit, duke pasur gjithnjë parasysh fjalët e Shën Palit drejtuar Galatasve: “Jam kryqëzuar me Krishtin e nuk jam më unë ai që jeton, por Krishti që jeton në mua”.
Prandaj të krishterët krenohen me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, sepse Kryqi është më i fuqishëm e më i madh se të gjitha pushtetet e botës: është shenjë e fitores mbi vdekjen.
Kryqi bëhet kështu lavdi. Zoti lumnohet pikërisht në çastin kur i Biri kryqëzohet. “Në kryq – shkruan Shën Leoni papë – është gjykata e Zotit, aty bëhet gjykimi i botës, zbulohet pushteti i të Kryqëzuarit”. Kryqi është gjykata më e madhe e botës, por edhe fillimi i pushtetit të Krishtit mbi botën dhe mbi historinë e njerëzimit.
Kur të duket se gjithçka ka marrë fund, në të vërtetë gjithçka fillon.
Me të drejtë liturgjia e naltimit të Kryqit këndon në Meshë: “Krygjë e lavdishme, në degët tua varej çmimi i lirisë sonë: bota u shëlbua përmes Krygjës. Të falem, o Krygjë, e shuguruar nga Korpi i Krishtit; gjymtyrët e Tij mbi ty shkëlqejnë si gurë të çmuar”.
I madh është misteri që përkujtojmë sot, aftësia për të dhuruar vetveten në Kryq, mister i dashurisë, të cilin është tepër e vështirë ta kuptosh në të gjithë thellësinë e tij! Një gjë është plotësisht e qartë: “Kush merr pjesë në mundimet e Krishtit në Kryq, merr pjesë edhe në gëzimin e Tij”.
Festa e Naltimit të Krygjës, që kremtohet sot, dhe përkujtimi i Zojës së Dhimbshme, që do të kremtohet nesër, mund të përmblidhen në figurën tradicionale të Kryqëzimit, e cila e paraqet Virgjërën Mari tek këmbët e Kryqit, sipas përshkrimit të Shën Gjonit ungjilltar, i vetmi nga Apostujt që ndenji pranë Jezusit në grahmat e vdekjes. Por ç’kuptim ka ta naltosh Kryqin? Thua s’është shkandull të nderosh një mjet çnderues vdekjeje? Por Shën Pali Apostull thotë “Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, shkandull për Judenjtë, çmenduri për pagantë” (1 Kor 1, 23). Duhet pasur, veç, parasysh se të krishterët nuk naltojnë çdo lloj kryqi, por atë Kryq të cilin Krishti e shenjtëroi me flijimin e vet, fryt e dëshmi e dashurisë që s’njeh masë. Krishti mbi kryq derdhi gjithë gjakun e vet për ta çliruar njerëzimin nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. Prandaj, nga shenjë mallkimi, Kryqi u shndërrua në shenjë bekimi, nga simbol i vdekjes në vetë simbolin e dashurisë, që e mund urrejtjen e dhunën dhe lind jetën e pavdekshme. "O Crux, ave spes unica! O Kryq, të falem, ty, e vetmja shpresë!” . Kështu këndon liturgjia.
Rrëfen Ungjilltari: tek këmbët e Kryqit ishte Maria (shih Gj. 19, 25-27). Dhimbja e saj dhe dhimbja e të Birit janë një. Është një dhimbje plot me fe e me dashuri. Virgjëra mbi Kalvar merr pjesë në forcën shëlbuese të dhimbjes së Krishtit, duke i shtuar “po’-në e saj pohimit të të Birit.
Të bashkuar shpirtërisht me Zojën e Bekuar, edhe ne t’i themi përsëri “po” Zotit, që zgjodhi rrugën e Kryqit për të na shëlbuar. Është një mister i madh që vijon akoma, deri në fund të fundit të botës e që na kërkon të bashkëpunojmë. Maria na ndihmoftë ta marrim çdo ditë kryqin tonë e ta ndjekim besnikërisht Jezusin në rrugën e bindjes, të flijimit e të dashurisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.