2008-09-13 19:22:11

“Shtegtar në Lurdë” – reflektim i Atë Federiko Lombardit


(13.09.2008 RV)Papa pra, sot është shtegtar në Lurdë - siç na e përshkruan drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi, në një reflektim kushtuar pikërisht këtij shtegtimi:

 
“Do të jetë gëzim i madh për mua të bashkohem me turmën e shtegtarëve, që vijnë për të ndjekur etapat e shtegtimit jubilar, duke ndjekur gjurmët e Shën Bernardetës, deri te Shpella e Masabielës” – kështu e përshkroi Benedikti XVI frymën e udhëtimit të tij, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar.
Papa flet e jep mësim, por mbi të gjitha lutet, dëgjon Fjalën e Hyjit, kërkon vullnetin e Tij, ashtu si çdo besimtar. S’ është i pari këtu, në Lurdë. Nuk mund ta harrojmë Gjon Palin II, të moshuar e të sëmurë, ndërmjet shtegtarëve të pafuqishëm, në heshtje të thellë, para Shpellës.
Në Lurdë, ashtu siç ka ndodhur shpesh edhe gjetiu, Virgjëra u është dukur vajzave më të thjeshta, që i përngjasin më shumë. E ka treguar vëmendje të veçantë për të varfërit, të vuajturit, të ligështit. Prandaj tek Ajo vihet plot besim, me përvujtëri të madhe. Papa thotë se vjen të lutet për më të vegjëlit, për mbarë Kishën e për paqen në botë. E vërtetë, që prej 150-vjetësh, nga kjo Shpellë ka buruar një lumë i pashterrshëm qetësie e paqeje. Thua s’është pikërisht këtu një nga burimet më të frytshme të paqes? Pas gjallërisë, mendjemprehtësisë, kulturës së Parisit, është urti të vish në Lurdë, e që këtu, të kthehesh në jetën e përditshme, duke mbartur me vete një thesar të vërtetë shpirtëror, për ta dëshmuar me sytë e zemrën të ndriçuara nga vegimi i Shpellës, shumë më tepër sesa me fjalë".







All the contents on this site are copyrighted ©.