Të jesh apostull, do të thotë ta kumtosh me gëzim Krishtin në botë.
(10. 09. 2008 RV)Të dashur vëllezër e motra,
Të mërkurën e kaluar fola
për kthesën e madhe në jetën e Shën Palit, pas takimit me Krishtin e ngjallur. Jezusi
hyri në jetën e tij dhe e shndërroi nga persekutes, në apostull. Ku takim shënoi fillimin
e misionit të tij: Pali nuk mund të jetonte si më parë, tani e ndjente veten të ngarkuar
nga Zoti me detyrën për të shpallur Ungjillin e tij, si apostull. E pikërisht për
këtë mënyrë të re jetese, kur ai u bë apostull i Krishtit, dua t’ju flas sot. Ne zakonisht,
duke ndjekur Ungjillin, i njohim të Dymbëdhjetët me titullin e apostujve, duke kuptuar
me këtë fjalë, ata që ishin shokët e jetës së Jezusit dhe që dëgjonin mësimin e tij.
Por edhe Pali e ndjen veten apostull e duket qartë, prandaj, se koncepti i Palit mbi
apostullimin nuk kufizohet vetëm tek grupi i të Dymbëdhjetëve. Pa dyshim ai di ta
dallojë mirë rastin e tij nga i atyre, që kishin qenë apostuj para tij (Gal 1,17):
atyre u njeh një vend krejt të posaçëm në jetën e Kishës. E megjithatë, siç e dinë
të gjithë, edhe Shën Pali e quan veten Apostull në kuptimin më të ngushtë të kësaj
fjale. Sigurisht që, në kohën e bashkësive të para të krishtera, askush nuk përshkoi
më shumë kilometra se ai, nëpër tokë e nëpër det, gjithnjë me një qëllim të vetëm:
të kumtonte Ungjillin.
Pra Pali kishte për apostullimin
një koncept më të gjërë, se ai që lidhej me grupin e të Dymbëdhjetëve, koncept që
e ndeshim kryesisht tek Shën Luka në Veprat (cfr Vap 1,2,26;6,2). Në të vërtetë,
në Letrën e parë drejtuar Korintianëve, Pali i dallon qartë të ‘Dymbëdhjetët’
nga ‘të gjithë apostujt’, duke i përmendur si dy grupe të ndryshme, që patën fatin
të jenë dëshmitarë të dukjeve të të Ngjallurit (cfr 14,5.7). Në të njëjtin
tekst, më pas, ai e quan përvujtërisht vetveten si ‘më i fundmi i apostujve’, duke
e krahasuar deri me një dështak e duke pohuar tekstualisht: “Unë nuk jam i denjë as
të quhem apostull, sepse e kam salvuar Kishën e Krishtit. Por në saje të hirit të
Hyjit, jam ky që jam, dhe hiri i tij në lidhje me mua, nuk ka qenë i kotë; madje u
mundova të veproj më shumë se të gjithë ata, jo unë vetëm, por edhe hiri i Hyjit me
mua” (1 Kor 15,9-10). Metaforën dështak, përmes së cilës shprehet kulmi i përvujtërisë,
e gjejmë edhe në Letrën drejtuar Romakëve nga Shën Injaci i Antiokisë: “Jam
më i fundmi i të gjithëve, jam dështak; por do të më jepet hiri të jem diçka, në se
arrij tek Zoti” (9,2). Këtë, që thotë Ipeshkvi i Antiokisë lidhur me martirizimin
e tij të afërt, duke parashikuar se ai do ta përmbysë gjendjen e tij si njeri i padenjë,
Shën Pali e thotë lidhur me detyrën e tij apostolike: në të gjen shprehjen fekonditeti
i hirit të Hyjit, që di ta shndërrojë një njeri të papërkryer, në një apostull të
shkëlqyer. Nga persektues, në themelues Kishash: këtë bëri Hyji me një, që në pikëpamje
ungjillore, mund të shikohej si fundërri!
Po cili është koncepti i dytë i Shën
Palit, ai që i bën atë e të tjerët apostuj? Në Letrat e tij duken tri karakteristikat
themelore, që duhet t’i ketë apostulli. E para është ‘të ketë parë Zotin’(cfr.
1 Kor 9,1), dmth të ketë pasë me Të një takim vendimtar për jetën e vet. Edhe
në Letrën drejtuar Galatëve(cfr 1, 15-16), do të thotë se ishte i thirrur,
pothuajse i zgjedhur, me hirin e Hyjit, të cilit i pëlqeu t’i zbulonte Birin e vet,
për ta shpallur ndër paganë. Si përfundim, mund të themi se apostullimin e krijon
Zoti, jo hamendja vetjake. Apostull nuk bëhesh vetvetiu; është Zoti ai që të bën
të tillë; prandaj apostullimi ka nevojë për lidhje të përhershme me Zotin. Jo më kot
Pali thotë se është ‘i thirrur për të qenë apostull’ (Rom 1,1), dmth jo nga
ana e njerëzve, as nga ana e një njeriu, por nga ana e Jezu Krishtit dhe e Hyjit
Atë” (Gal 1,1). Kjo është karakteristika numër një: ta kesh parë Zotin, të
jesh i thirrur prej Tij.
Karakteristika e dytë është ‘të jesh i dërguar’.
Vetë termi grek ‘apóstolos’ do të thotë pikërisht ‘i dërguar’, dmth ambasador,
mbartës i një mesazhi; ai që duhet të veprojë si i dërguar e përfaqësues i dikujt.
Prandaj Pali e quan veten ‘apostull i Jezu Krishtit’(1 Kor 1,1; 2 Kor 1,1),
dmth delegat i tij, i vënë plotësisht në shërbim të tij, aq sa të quhej edhe ‘shërbëtor
i Jezu Krishtit’(Rom 1,1). Edhe një herë del në plan të parë ideja se nisma
është e dikujt tjetër, e Hyjit në Jezu Krishtin, të cilit i detyrohesh plotësisht;
por sidomos nënvizohet fakti se mori një mision, të cilin duhet ta kryejë në emër
të tij, duke vënë plotësisht në plan të dytë çdo interes vetjak. Karakteristika
e tretë ka të bëjë me ushtrimin e ‘kumtimit të Ungjillit’, e si pasojë, me themelimin
e Kishave. Titulli i ‘apostullit’ nuk është e nuk mund të jetë titull nderi. Ai e
impenjon konkretisht e edhe dramatikisht gjithë qenien e subjektit përkatës. Në Letrën
e parë drejtuar Korintianëve, Pali thotë: “Po unë, a nuk jam apostull? Po a nuk
e pashë Jezusin, Zotin tonë? A nuk jeni ju vepra ime në Zotin?’ (9,1). Po kështu
në Letrën e dytë drejtuar Korintianëve, pohon: “Letra jonë jeni ju…, letra
e shkruar prej Krishtit, e shkruar jo me bojë, por me shpirtin e Hyjit të gjallë”
(3,2-3).
Nuk na çudit, prandaj, fakti që Gjon Krizostomi
flet për Palin, si për ‘një shpirt prej diamanti” (Panegirici, 1,8), dhe vijon
të thotë: “Ashtu si zjarri, kur i shtojmë materiale të ndryshme, ndizet më shumë,
kështu edhe Pali, me fjalën e tij, i fitonte për çështjen e vet të gjithë ata, me
të cilët lidhej, e edhe ata, që e luftonin, të cilët pushtoheshin nga fjalimet e tij
e bëheshin ushqim i ri për këtë zjarr shpirtëror” (ibid., 7,11). Kjo shpjegon
pse Pali i quan apostujt ‘bashkëpunëtorë të Hyjit’ (1 Kor 3,9; 2 Kor 6,1),
hiri i të cilit vepron me ta. Një element tipik i apostullimit të vërtetë, që vihet
mirë në dukje nga Shën Pali, është një lloj njësimi i Ungjillit me ungjillëzuesin,
që të dy të paracaktuar për të njëjtin fat. Askush, si Pali, nuk e vuri kaq me forcë
në dukje se kumtimi i kryqit të Krishtit duket si ‘shkandull e marrëzi’ (1 Kor
1,23), e se shumkush e keqkupton ose nuk e pranon. Kjo ndodhte asokohe e nuk
është për t’u çuditur në se e njëjta gjë ndodh edhe sot. Fatit që të dukej ‘shkandull
e marrëzi’, nuk do t’i shpëtonte as Pali Apostull, i cili e di mirë këtë: kjo është
pervoja e jetës së tij. Korintianëve u shkruan, jo pa një hije ironie: “E pra unë
mendoj se Hyji ne, apostujve, na vuri në vendin e fundit, si të dënuar për vdekje,
sepse u bëmë lojë për botën, për engjëjt e për njerëzit. Ne të marrë për shkak të
Krishtit, ju të urtë në Krishtin; ne të dobët, ju të fortë; ju të nderuar e ne të
përbuzur. Deri tani s’ngihemi me bukë as me ujë, jemi të zhveshur e të shtypur, të
paplang e të pashtëpi, lodhemi duke punuar me duart tona. Na shajnë, e ne flasim mirë
për ta. Na salvojnë, e ne durojmë; na shpifen e ne ngushëllojmë. U bëmë deri më sot,
si fundërritë e botës, porsi plehrat e gjithkujt”(1 Kor 4,9-13). Është autoportreti
i jetës apostolike të Shën Palit: ndërmjet gjithë këtyre vuajtjeve, mbizotëron gëzimi
se është mbartës i bekimit të Hyjit e i hirit të Ungjillit.
Sidoqoftë,
Pali ka të përbashkët me filozofinë stoike të kohës së tij, idenë e qëndrimit të palëkundur
në mes të vështirësive që has; por ai e kapërcen perspektivën thjeshtë humanistike,
duke rikujtuar se i përket Hyjit në Krishtin: “Kush do të na ndajë prej dashurisë
së Krishtit? Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Lakuriqësia? Rreziku? Shpata?
Sikurse është në Shkrimin Shenjt: Për shkak tënd na vrasin si një ditë për ditë,
na çmojnë porsi dele të caktuara për t’u prerë. E prapëseprap, në të gjitha këto,
jemi më se ngadhënjyes, në saje të Atij që na deshi. Jam plotësisht i bindur se as
vdekja, as jeta, as ëngjëjt as pushtetet, as e tashmja, as e ardhshmja, as fuqitë,
as lartësitë as humnerat e asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë
së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Rom 8,35-39). Kjo është
siguria. Gëzimi i thellë që i prin apostullit në gjithë këto ngjarje: asgjë nuk nuk
do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit. E kjo dashuri është pasuria e vërtetë
e jetës njerëzore.
Siç shihet, Shën Pali e kishte vënë gjithë jetën në shërbim
të Ungjillit; mund të themi ‘njëzet e katër orë mbi njëzet e katër’. E kryente detyrën
e tij me besnikëri e me gëzim, ‘për të shpëtuar me çdo kusht ndonjërin’(1 Kor 9,22).
E përsa u përket Kishave, ndonëse e dinte se kishte me ta një lidhje atësie (cfr
1 Cor 4,15), madje edhe amësie (cfr Gal 4, 19), vihej plotësisht në shërbim
të tyre, duke deklaruar në mënyrë të admirueshme: “Ne nuk duam të sillemi si pronarë
të fesë suaj, por jemi bashkëpunëtorë të gëzimit tuaj” (2 Kor 1,24). E
ky vijon të jetë misioni i të gjithë apostujve të Krishtit, në të gjitha kohët: të
jenë bashkëpunëtorë të gëzimit të vërtetë.