2008-09-13 19:34:39

Papa bashkësisë hebraike franceze:“Të jesh antisemit do të thotë të jesh antikristian”.


(13.09.2008 RV)Dje pasdite, pak para fillimit të shabat (kujtojmë se e shtuna për hebrenjtë, është si e diela për kristianët), Papa përshëndeti përfaqësuesit e bashkësisë hebraike franceze, në selinë e nunciaturës apostolike. Ishte një takim shumë i përzemërt: Benedikti XVI nënvizoi se katolikët e hebrenjtë, për shkak të asaj që i bashkon e edhe të asaj, që i ndan, duhet ta forcojnë e ta jetojnë vëllazërinë, sepse janë të lidhur me një lidhje, e cila i fton të njihen më mirë e të respektohen më shumë. Më pas Papa ripohoi me forcë se Kisha katolike e ndjen veten të impenjuar ta respektojë Besën që lidhi Hyji me Abrahamin, Isakun e Jakobin, sepse ajo bën pjesë në Besëlidhjen e amshuar të të Gjithëpushtetshmit, i cili nuk pendohet kurrë për planet tij, e se i respekton bijtë e Premtimit, bijtë e Besëlidhjes, si vëllezër fort të dashur në fe”. Benedikti XVI ripohoi, më pas, me forcë, fjalët e Piut XI: “Shpirtërisht ne jemi semitë”. Prandaj – vijoi Papa – Kisha i kundërvihet çdo shfaqjeje të antisemitizmit, për të cilin nuk ka asnjë përligjje teologjike të pranueshme, me vetëdijen se të jesh kundër hebrenjve, do të thotë të jesh edhe kundër të krishterëve. Më pas, tepër i prekur, Ati i Shenjtë nderoi kujtimin e atyre, që vdiqën padrejtësisht, e edhe të atyre, që vijojnë përpjekjet, për kujtimin e emrave të viktimave, duke theksuar se “Zoti nuk harron!”. Së fundi Benedikti XVI kujtoi edhe rolin që kanë luajtur hebrenjtë në Francë për ndërtimin e mbarë kombit dhe kontributin e tyre të shquar shpirtëror, duke i dhuruar figura të mëdha botës së politikës, të kulturës e të artit.







All the contents on this site are copyrighted ©.