2008-09-13 13:02:59

Me lutje e me fjalën drejtuar të rinjve përfundon dita e parë e vizitës së Papës Benedikti XVI në Francë


(12.09.2008 RV)Dita e sotme e udhëtimit apostolik të Papës Benedikti XVI në Francë përfundoi me kremtimin e Mbrëmësores sëbashku me meshtarët, rregulltarët seminaristët e diakonët, si edhe me përfaqësues të besimeve të tjera të krishtera, në katedralen e famshme “Notre Dame de Paris”. Ajo njihet mirë për hir të romanit me të njëjtin emër të Viktor Hygoit dhe të filmit që pasqyron ngjarjet e tij, por katedralja, më shumë se sa vendi i ndodhive të Esmeraldës, është tempull i krishterë ku kanë folur e predikuar Shën Domeniku, Shën Françesku i Sales, qendër e ngjarjeve të revolucionit francez, nga ku doli sërish e konfirmuar si vend kulti, pasi komunarët flijuan aty tre ipeshkvij dhe e kthyen në të ashtuquajturin “Tempull të arësyes”.
Ajo është “Shtëpia e Zotit”, siç e quajti Papa gjatë homelisë së Mbrëmësores, të përqëndruar në praninë e Zotit në mesin e njerëzve. Fjala e Zotit, e lexuar nga amboni i katedrales, është ajo që i jep shpirt jetës së përditshme të besimtarëve. Benedikti XVI u foli me radhë pjesëmarrësve.
Seminaristëve u nënvizoi rëndësinë e përgatitjes, të formimit e të njohjes së Fjalës së Zotit. “Ruajeni gjithnjë shijen e Fjalës së Zotit! Mësoni, falë saj, t’i doni të gjithë ata që do të gjeni përgjatë rrugës. Askush nuk është i tepërt në Kishë, askush! Të gjithë mund e duhet të gjejnë vendin e tyre”.
Diakonëve, Ati i Shenjtë u kujtoi thirrjen për të qenë bashkëpunëtorë të denjë të ipeshkvijve dhe meshtarëve, duke dëshmuar krishterimin me jetën e tyre të përditshme.
Rregulltareve, rregulltarëve dhe të gjithë personave të shuguruar u tha se pasuria e tyre e vetme është Fjala e Zotit. Papa falenderoi përfaqësuesit e besimeve të tjera të krishtera për praninë e tyre dhe u ndal në “fuqinë e Zotit që na shëlben “në shpresë””. Nuk ka dashuri në Kishë, pa dashurinë e Fjalës së Zotit – theksoi Benedikti XVI – nuk ka Kishë pa bashkim rreth Krishtit Shëlbues, nuk jep fryte shëlbimi pa dashurinë për Zotin dhe për të afërmin…”
Në tremen e katedrales Notre Dame de Paris, Ati i Shenjtë përshëndeti të rinjtë, kujtoi Ditën Botërore të Rinisë në Sidnei dhe u ndal në dy pika themelore, të lidhura me njëra-tjetrën.
Së pari, kujtoi temën e Ditës Botërore të Rinisë “Do të keni forcën e Shpirtit Shenjt që do të zbresë në ju e do të bëheni dëshmitarët e mi”. Kjo i dha rastin për të folur mbi rëndësinë e Shpirtit Shenjt në jetën e të krishterit, duke u kërkuar të rinjve, që në rrugën e tyre drejt kërkimit të së vërtetës, të ndalen në sakramentin e Krezmimit, pasi përmes tij marrin pikërisht dhuratën e Shpirtit Shenjt. Është Ai që i bën të kuptojnë se e vërteta që kërkojnë është Krishti. Papa i inkurajoi të rinjtë të dëshmojnë Krishtin në jetën e tyre të përditshme e t’ia shpallin atë bashkëmoshatarëve.
Pika e dytë, në të cilën u ndal Ati i Shenjtë, ishte misteri i Kryqit, lidhur edhe me vitin kushtuar Shën Palit Apostull. “Për të krishterët – u tha Papa Racinger të rinjve – Kryqi është simbol i urtisë së Zotit dhe i dashurisë së tij pa fund të dëshmuar me dhuratën shpëtimprurëse të Krishtit të vdekur e të ngjallur për jetën e botës, për jetën e secilit prej nesh”. Pikërisht Shën Pali, sqaroi Benedikti XVI, e kishte kuptuar se vetëm duke e dhuruar jetën, mund ta gjesh atë, e se vetëm Kryqi shpreh ligjin themelor të dashurisë, formulën e përsosur të jetës së vërtetë.


Nesër, Ati i Shenjtë do të kremtojë Meshën në Esplanade des Invalides e më pas do të shkojë në Lurdë, ku do të bëhet shtegtar mes shtegtarësh në rrugën e Jubileut që përkujton 150-vjetorin e dukjeve të Zojës.







All the contents on this site are copyrighted ©.