2008-09-13 18:29:31

Largohuni nga idhujtaria e parasë, e pushtetit dhe e diturisë! Thirrja e Papës Benedikti XVI në Esplanade des Invalides.


(13.09.2008 RV)RealAudioMP3 Mbi 250 mijë vetë morën pjesë sot paradite në Meshën e kremtuar nga Papa Benedikti XVI në zemrën e Parisit, në sheshin e mrekullueshëm Esplanade des Invalides. Pas vizitës së shkurtër në Institutin e Francës, ku bëjnë pjesë përfaqësues të shquar të mendimit njerëzor, e edhe vetë Ati i Shenjtë, Papa Racinger shkoi në kompleksin monumental, formuar nga Hoteli i Invalidëve, Muzeu i Ushtrisë dhe Kisha katedrale, ku ruhet hiri i Napoleonit. Të gjitha mbajnë vulën e kujdesit për invalidët e për të plagosurit rëndë.
Benedikti XVI, që u prit me entuziazëm e dashuri nga mijëra besimtarë, gjatë homelisë përsëriti thirrjen e Shën Palit Apostull: “Hiqni dorë nga idhujtaria e parasë, pushtetit dhe diturisë”. Fatkeqësisht, vuri në dukje Papa, edhe bota e sotme ka krijuar idhujt e vet, duke imituar pa e kuptuar as vetë, paganët e lashtësisë, duke e larguar njeriun nga qëllimi i tij i vërtetë: lumturia për të jetuar në amshim me Zotin. Pyetja që çdo njeri i ndershëm duhet t’i bëjë vetvetes, tha Benedikti XVI, është se cilat janë gjërat me të vërtetë të rëndësishme në jetën e vet:
Idhulli është i rremë – shpjegoi Papa – sepse e shkëput nga realiteti atë që i shërben, për ta mbyllur në mbretërinë e dukjes. A s’është ky një tundim i epokës sonë, e vetmja mbi të cilën mund të veprojmë me sukses? Tundim për të kthyer në idhull një të kaluar, që nuk ekziston më, duke harruar privimet e saj, tundim për ta kthyer në idhull të ardhmen, që nuk ekziston akoma, duke besuar se njeriu, vetëm me forcat e veta, mund të arrijë lumturinë e amshuar në tokë.
Paraja, etja për pasuri, për pushtet e madje edhe për dituri, janë idhujt e sotëm, që e largojnë njeriun nga qëllimi i vërtetë i jetës së tij. Por Papa kujtoi edhe se Shën Pali, nëse nga njëra anë, dënon rreptë idhujtarinë, nga ana tjetër, i jep dorën personit që shkon pas idhujve të rremë. E është arësyeja ajo, që na ndihmon të mos ngatërrojmë mëkatin me mëkatarin, pasi ky i fundit ka gjithnjë kohë të kthehet në rrugë të drejtë e të kërkojë falje:
Asnjëherë Zoti nuk i kërkon njeriut të flijojë arësyen e vet! Asnjëherë arësyeja nuk hyn në kontradiktë të vërtetë me fenë! I vetmi Zot ka krijuar arësyen e na dhuron fenë, duke i propozuar lirisë sonë ta pranojë si një dhuratë të çmuar. Është kulti i idhujve – vazhdoi Papa – ai që e largon njeriun nga kjo perspektivë. T’i kërkojmë pra Zotit të na ndihmojë ta pastrojmë shpirtin nga të gjithë idhujt, për të arritur tek e vërteta mbi qenien tonë e mbi Qenien e tij në amshim.
Bashkimi ndërmjet fesë e arësyes është mjeti për të arritur tek Zoti, shtoi Benedikti XVI, sidomos feja, përmes Eukaristisë, “zbulim i jashtëzakonshëm që vjen nga Krishti, përçuar nga Apostujt e nga krejt Kisha që prej dymijë vjetësh”. Ta shprehim këtë besim përmes fjalëve e gjesteve, theksoi Ati i Shenjtë, e të mos pranojmë kurrë që të dobësohet sado pak feja në Krishtin e ngjallur, të pranishëm në Eukaristi:
Lartimi e kelkut të shpëtimit dhe thirrja e emrit të Zotit a nuk janë vallë pikërisht mjetet më të mira për t’iu larguar idhujve? Prandaj, të kremtosh Eukaristinë do të thotë të pranosh se vetëm Zoti është në gjendje të dhurojë lumturinë e plotë, të na mësojë vlerat e vërteta, vlerat për amshim, që nuk do të perëndojnë kurrë.
Vetëm Zoti, theksoi Papa, na mëson si të largohemi nga idhujt, joshje mashtruese të mendimit. Në përfundim, Benedikti XVI iu drejtua të rinjve, atyre që mendojnë se mund të kenë thirrje për meshtar apo rregulltar. Edhe atyre, ashtu si mbrëmë të rinjve të mbledhur para katedrales Notre Dame de Paris, Papa Racinger u kërkoi të mos kenë frikë t’ia dhurojnë jetën Krishtit, t’i përgjigjen thirrjes së tij, pasi asgjë nuk mund ta zëvendësojë shërbimin e meshtarëve në jetën e Kishës. Ati i Shenjtë e përfundoi homelinë e Meshës në Esplanade des Invalides të Parisit, në ditën e dytë të vizitës së tij apostolike në Francë, me thirrjen drejtuar të gjithnjë njerëzve vullnetmirë për të ndihmuar të afërmin e për të bërë mirë vazhdimisht.
Papa e kaloi drekën me ipeshkvijtë e Ile de France në Nunciaturën Apostolike e rreth orës 17.45 la Parisin për të shkuar në Lurdë, ku merr pjesë në shtegtimin e jubileut. Këtu festohet 150-vjetori i dukjeve të Zojës. Në këtë vend, çdo vit vijnë miliona shtegtarë, sidomos të sëmurë, për t’u lutur pranë Zojës e për t’i kërkuar asaj hire të veçanta.







All the contents on this site are copyrighted ©.