2008-09-13 18:33:12

Koment i Atë Lombardit për fjalimin e Papës drejtuar botës së kulturës franceze


RealAudioMP3 Të kthehemi te takimi i Papës Benedikti XVI me botën e kulturës në Francë. Ka bërë jehonë të madhe, fjala që Ati i Shenjtë i drejtoi botës së kulturës në Kolezh dë Bernardë. “Një fjalim shumë i gjerë, jo me efekte, që kërkon dëgjues të vëmendshëm e të dëshiruar të përshkojnë një itinerar intelektual, të udhëhequr nga analiza e Papës”. Kështu komenton drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi, në udhëtim me Benediktin XVI, si zëdhënës i Selisë së Shenjtë:
Papa reflekton mbi vendin themelor që kërkimi i Zotit ka pasur në formimin e kulturës evropiane dhe mbi vendin që ai kërkim i Zotit vazhdon të ketë në çdo kulturë të vërtetë. Ky është një diskutim që Papa e zhvillon, duke reflektuar sidomos mbi kulturën murgare. Ai vë në dukje se kultura murgare frymëzohet nga kërkimi i Zotit e ky kërkim çon në dashurinë për letërsinë, çon në dashurinë edhe për shkencat profane, çon në zhvillimin e muzikës për të medituar e lavdëruar Zotin, në përfshirjen në harmoninë e Krijimit, çon në zhvillimin e interpretimit të përgjithshëm të Shkrimit Shenjt. Pastaj, komponentja tjetër e madhe e kulturës murgare është puna: ora et labora. Një kulturë pune, që hyn në planin e madh të veprës së Zotit Krijues, që është një punë me përgjegjësi ndaj Krijimit. Ja, këto tematika të mëdha na bëjnë të kuptojmë se si motivacioni themelor fetar mbi bazën e të cilit lind kultura e madhe evropiane – sepse kultura murgare është elementi bazë, ndërlidhës i kulturës së kontinentit evropian – është thelbësor për identitetin e Evropës. Është pra, e rrezikshme, madje është për t’u shmangur absolutisht, mënjanimi i përmasës fetare dhe të pyetjeve mbi Zotin nga kultura jonë bashkëkohore. Për botën e sotme, Zoti mbetet në shumë aspekte, krejt i panjohur, por është Ai që të krishterët e shpallin si Ai që është arësyeja universale, Ai që i jep kuptim Krijimit dhe Historisë e për rrjedhojë, bën të mundur zhvillimin e një humanizmi të vërtetë. Nëse heqim dorë nga pyetjet mbi Zotin vemë në rrezik të ardhmen e njerëzimit. Këto tema Papa i ka prekur e shpjeguar në shumë raste. Më duket se kontributi i ri i këtij fjalimi të madh është pikërisht analiza, paraqitja e arësyetuar e rolit të kërkimit të Zotit në formimin e kulturës, që bashkoi Kontinentin tonë në shekujt e Mesjetës, gjatë të cilave u formua vërtet identiteti i Evropës.







All the contents on this site are copyrighted ©.