2008-09-13 19:35:01

Benedikti XVI për Shën Gjon Gojartin, kremtuar sot nga Kisha katolike


(13.09.2008 RV)“Me Shën Gjon Krizostomin nis vizioni i qytetit të ndërtuar nga ndërgjegjja e krishterë, në të cilin njeriu, edhe ai më i varfëri, ka vendin e vet e dinjitetin e vet”. Është ky një prej mendimeve të shprehura nga Ati i Shenjtë në audiencën e përgjithshme të 26 shtatorit 2007, katekizmin e së cilës ia kushtoi figurës së Shën Gjon Gojartit, e, sidomos, vlerës aktuale të mësimeve të tij, që e bënë Shenjtin një nga pararendësit e Doktrinës shoqërore të Kishës.
Njeri tepër i thjeshtë, në mes të salltanetit të oborrit perandorak bizantin. I mahnitur nga modeli i bashkësisë së parë të krishterë, të bashkuar nga ndjenjat e vëllazërisë së vërtetë, që nuk i vlerësonte njerëzit sipas pozitës shoqërore, por sipas fesë. Kështu na e paraqet Papa figurën e këtij shenjti revolucionar, që jetoi 1600 vjet më parë, aktual edhe për ditët e sotme. Njeri me zemër të mirë, të ëmbël e atërore me të gjithë, nuk mundi të krijonte një strehë të sigurtë, për t’u mbrojtur nga kundërshtimet, persekutimet dhe internimet. U internua dy herë e ndërroi jetë pikërisht gjatë internimit të dytë, në vitin 407. Në sa jetonte në Kostandinopojën e pallateve perandorake, ndërmjet intrigave të oborrit, Krizostomi nuk u fsheh pas njerëzve të kamur, por zgjodhi thjeshtësinë, duke nisur nga pallati arqipeshkvnor, e jashtë tij; zgjodhi të varfërit e familjet, që qenë gjithnjë në qëndër të vëmendjes së veprimtarisë së tij baritore. U frymëzua përherë nga modeli i Kishës së të krishterëve të parë, prej nga i lindi vizioni i ‘qytetit ideal’:
Krizostomi, ashtu si Shën Pali, mbronte përparësinë e të krishterit, parë si individ, si njeri i veçantë, edhe të skllavit e të të varfërit. Projekti i tij korrigjon kështu vizionin grek të ‘polisit’, të qytetit, në të cilin masat e gjëra të popullsisë përjashtoheshin nga e drejta e qytetarisë, ndërsa në qytetin e krishterë të gjithë janë vëllezër e motra, me të drejta të barabarta”.
Shën Gjon Gojarti e kishte kuptuar se ideja e vjetër e polisit grek duhej zevendësuar me atë të qytetit të frymëzuar nga feja, për të cilin flet Ungjilli. Ja sepse me të – shpjegon Benedikti XVI – filloi vizioni i një qyteti të ndërtuar nga ndërgjegjja e krishterë, që i bën të gjithë të barabartë, i bën vëllezër e motra e i edukon me frymën e solidaritetit:
“I duhej dhënë një shpirt e një fytyrë e krishterë qytetit. Me fjalë të tjera, Krizostomi e kuptoi se nuk mjaftonte dhënia e lëmoshës, as ndihma e herë pas hershme e të varfërve, por ishte e nevojshme të krijohej një strukturë e re, një model i ri i shoqërisë; një model i bazuar mbi perspektivën e Besëlidhjes së Re. Është shoqëria e re që nis të shfaqet në Kishën e posalindur”.
I famshëm për gojtarinë e tij, edhe në Romën e re, dmth në Kostandinopojë, Krizostomi u bë i njohur nga të gjithë si mësues i fesë e dëshmitar i dashurisë së krishterë. Katër janë karakteristikat kryesore të kësaj figure madhore të Kishës: së pari, ndjeshmëria ndaj Krijimit, parë si akti më i lartë i dashurisë së Zotit; së dyti, vëmendja që i kushtoi shpjegimit të Shkrimit Shenjt i cili, sipas Atit të Kishës, krijon mundësinë për ta deshifruar vetë Krijimin. Së katërti, besimi mbi veprimin e Shpirtit Shenjt në zemrën e njeriut. Por duhet theksuar – na kujton Papa - se është karakteristika e tretë ajo që zbulon gjithë humanizmin dhe fenë e ipeshkvit të lashtë të Kostandinopojës, bindjen e patundur se:
“Hyji… zbret vetë, mishërohet, bëhet vërtetë ‘Hyji me ne’, vëllau ynë deri në vdekje në Kryq”.







All the contents on this site are copyrighted ©.