2008-09-12 17:49:26

Shtegtarët presin me padurim arritjen e Papës nesër pasdite në Lurdë.


(12.9.2008 RV)RealAudioMP3 Shtegtarët presin me ankth mbërritjen e Benediktit XVI nesër pasdite në Lurdë. “Këtu, tha Papa, mund të gjejmë dashurinë e Marisë për bijtë e saj të vuajtur.”
Nëse Papa po e kalon në Paris këtë pjesë të parë të udhëtimit në tokën franceze, në Lurdë, ku Ati i Shenjtë do të mbërrijë nesër, po e presin me ankth. Tema e këtij udhëtimi të dhjetë apostolik ndërkombëtar është pikërisht 150-vjetori i të Shfaqurit të Zojës në qytezën franceze. Benedikti XVI është ndalur disa herë tek rëndësia e Shenjtërores së Lurdit dhe tek mesazhi i dashurisë e i Shpëtimit dorëzuar nga Virgjëra vajzës së re Bernardetë Subirù.


Benedikti XVI do të jetë shtegtar mes shtegtarësh në Lurdë, ku çdo besimtar mund të gjejë dashurinë prej nëne të Marisë për bijtë e saj të sëmurë e të vuajtur. “Të shfaqurit e Zojës në këtë vend – pati shkruar Papa në mesazhin e tij për Ditën Botërore të të Sëmurit 2008, që bie çdo vit me 11 shkurt, në solemnitetin e Zojës Lurdë - na tregon se Maria “vuan me ata që janë në provë, me ata shpreson dhe është për ta ngushllim duke iu dhënë zemër me ndihmën e saj prej nëne.” Papa në takimin me të sëmurët në bazilikën vatikanase pati folur kështu mbi këtë dashuri:


“Kjo dashuri plot kujdese vërehet në mënyrë veçanërisht të gjallë në botë, në ditën e festës së Shën Marisë së Lurdit, duke riaktualizuar në liturgji, dhe veçanërisht tek Eukaristia, misterin e Krishtit Shëlbues të njerëzve, ndër të cilët vendin e parë e zë Virgjëra e Papërlyeme.”


Maria – thotë Papa –, na jep zemër t’i pranojmë vuajtjet dhe “t’i ofrojmë për shpëtimin e botës, duke i bashkuar me ato të Krishtit.” Në Lurdë, vinte në dukje Ati i Shenjtë tek lutja e Engjëllit të Tenzot të 11 shkurtit të vitit të kaluar “kumbon fuqishëm thirrja e Zojës për uratë dhe për pendesë”. Një thirrje e cila që nga 1858, nga shpella e Masabielë, rrezatohet në mbarë botën. Pikërisht në rastin e 150-vjetorin e të Shfaqunit të Zojës Bernardetës, në ditën e së Papërlyemes të vitit të kaluar, Benedikti XVI do të përuronte një vit jubilar me një uratë të veçantë drejtuar Marisë “Nënë e shpresës”:
“Uratën tonë ia drejtojmë asaj me besim, ndërsa idealisht shkojmë në shtegtim në Lurdë, ku pikërisht sot nis një vit jubilar i posaçëm me rastin e 150-vjetorin e të Shfaqurit të saj në shpellën e Masabielës. O Mari e Papërlyeme”, “hyll i detit, shëndrit mbi ne dhe na udhëheq në rrugëtimin tonë!”







All the contents on this site are copyrighted ©.