2008-09-12 17:34:33

Papa Benedikti XVI në Francë për vizitën e tij të parë në këtë vend


(12.9.2008 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI mbërriti në Francë për vizitën e tij të parë në këtë vend si Pasardhës i Shën Pjetrit. Udhëtimi i tij apostolik bëhet në 150-vjetorin e dukjeve të Zojës në Lurdë, pra një shtegtim i rëndësishëm marian, etapa e parë e të cilit është kryeqytetit i Francës, Parisi. Pikërisht këtu, Papa arriti rreth orës 11.00, ku u prit në aeroportin e Orlit nga presidenti i Republikës, Nikola Sarkozì shoqëruar nga bashkëshortja, si edhe nga kryeipeshkvi i Parisit, kardinali Andrè Vënt-Trua.
Përveç festimit të përvjetorit të Zojës së Lurdës, ky udhëtim është edhe rasti për t’iu përgjigjur fjalimit mbi laicitetin pozitiv dhe mbi rrënjët e krishtera të Francës, mbajtur nga presidenti francez në dhjetorin e kaluar në kishën e Shën Gjonit në Lateran në Romë. Prej andej, filloi një diskutim i hapur në shoqërinë franceze, mbi ligjin për laicitetin të vitit 1905. Sipas opinionit të përgjithshëm, mund të hapet një fazë e re në marrëdhëniet ndërmjet Shtetit dhe Kishës. Vetë Ati i Shenjtë e kujtoi fjalimin e presidentit Sarkozì, në ceremoninë e mirëseardhjes:
“Me rastin e vizitës suaj në Romë, Zoti President, Ju kujtuat se rrënjët e Francës – ashtu si ato të Evropës – janë të krishtera. Mjafton historia për ta dëshmuar këtë: që nga zanafilla, vendi juaj ka marrë mesazhin e Ungjillit… ekzistenca e bashkësive të krishera në Gali dokumentohet në data shumë të lashta: nuk mund të mos kujtohet me emocion se qyteti i Lionit kishte Ipeshkëv që nga gjysma e shekullit II dhe se shën Ireneu, autori i Adversus haereses (Kundër heretikëve), dëshmoi qartë gjallërinë e mendimit të krishterë”.
Më pas, Benedikti XVI vuri në dukje se si Franca, me punën e murgjërve, me themelimin e shumë kongregatave rregulltarësh, nëpërmjet formimit të zemrave njerëzore e shërbimit ndaj të varfërve, ka ndihmuar në përçimin e kulturës së krishterë dhe në konsolidimin e fesë. Papa u shpreh me kënaqësi për marrëdhëniet ndërmjet Kishës e Shtetit francez, për të cilat një mjet i ri dialogu ekziston që nga viti 2002. Duke vënë në dukje, se laiciteti ka një rol të rëndësishëm në shoqëri, Ati i Shenjtë theksoi:
“Në këtë moment historik në të cilin kulturat ndërthuren me njëra-tjetrën gjithnjë e më shumë, jam thellësisht i bindur se është i nevojshëm një reflektim i ri mbi domethënien e vërtetë e mbi rëndësinë e laicitetit. Nëse nga njëra anë, është themelore të ngulet këmbë në dallimin ndërmjet fushës politike dhe asaj fetare, me qëllim që të mbrohen më mirë si liria fetare e qytetarëve, ashtu edhe përgjegjësia e Shtetit ndaj tyre, nga ana tjetër, duhet një vetëdijë më me madhe për funksionin e pazëvendësueshëm të fesë në formimin e ndërgjegjeve dhe për kontributin që ajo mund të japë, sëbashku me instanca të tjera, në krijimin e një konsensusi etik bazë në shoqëri”.
Duke pasur parasysh se Franca është aktualisht presidente e turnit e Bashkimit Evropian, Papa vuri në dukje vështirësitë me të cilat haset njeriu i kohës sonë, sidomos humbjen e pikave të referimit në jetën familjare, braktisjen e mënjanimin nga shoqëria, rritjen e distancës ndërmjet të pasurve dhe të varfërve, gjendjen në të cilën ndodhet planeti dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë. Benedikti XVI kërkoi që në rolin e presidencës së Bashkimit Evropian, Franca të dëshmojë traditën e saj të lashtë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut:
“Kur qytetari evropian do të shohë dhe eksperimentojë personalisht të drejtat e patjetërsueshme të njeriut, nga zënia deri në vdekjen e natyrshme, si edhe ato që kanë të bëjnë me edukimin e lirë, me jetën familjare, me punën, pa harruar natyrisht të drejtat fetare, pra, kur qytetari evropian do të shohë se këto të drejta nxiten e respektohen, vetëm atëherë do ta kuptojë plotësisht madhështinë e ndërtesës së Bashkimit Evropian dhe do të bëhet protagonist aktiv në të”.
Nuk është gjithnjë e thjeshtë, por ia vlen të përpiqesh për një bashkim popujsh, ku ndryshimet kulturore të bëhen pasuri në sinfoninë e përbashkët evropiane, duke konsoliduar solidaritetin ndërmjet njerëzve – përfundoi Papa Racinger.
Ide këto, të mbështetura edhe nga presidenti francez Nikolas Sarkozì, i cili në fjalën e mirëseardhjes theksoi se “…në këtë epokë, kur dyshimi, mbyllja në vetvete, i vënë demokracitë përballë sfidës për t’iu përgjigjur problemeve të sotme, laiciteti pozitiv i ofron ndërgjegjes sonë mundësinë për të dialoguar, pavarësisht nga besimet e ritet, mbi domethënien që duam t’i japim ekzistencës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.