2008-09-12 18:11:22

Kard. Martino mbyll në Fatima Kongresin e baritorisë sociale


(12.9.2008 RV)Jeta, liria fetare, paqja, të drejtat njerëzore. Këto janë fushat me përparësi sot të veprimit baritor të Kishës, sipas Kardinal Martinos, i cili pasdite mbylli në Fatima, Portugali, kongresin e parë të baritorisë shoqërore me temën: “Veprimi shoqëror sot: kujtesë dhe projekt.”


“Në rastet kur janë në lojë parimet themelore të dinjitetit njerëzor dhe të vërtetat morale të besimit, bashkësitë e krishtera mund e duhet të mbajnë qëndrim dënues, me kujdes kur gjykojnë raste dhe situata shpesh të ndërlikuara dhe të shmangin mendjelehtësinë dhe skemat e gatshme.” Këtë pohoi kryetari i Këshillit Papnor për Drejtësi e Paqe, kardinali Renato Rafaele Martino, duke përfunduar në pasditen e djeshme në Fatima, në Portugali, Kongresin e Parë të baritorisë shoqërore promovuar nga Komisioni i ipeshkëvijve portogezë, organizëm që sipas kardinalit tregon “prirjen e fortë të Kishës vendore për t’u impenjuar për një shoqëri integrale dhe shoqërore.”


Duke i thjeshtësuar rastet e mësipërme në të cilat janë në lojë sot dinjitetit njerëzor dhe të vërtetat morale themelore, kardinali Martino përmendi abortin, eutanazinë dhunën veçanërisht mbi fëmijët, torturën, shfrytëzimin e pamëshirshëm të njeriut nga njeriu apo kur vihet në dyshim integriteti i familjes, i lirisë fetare, i lirisë së shkollimit.


Përpara një auditoriumi plot me ekspertë dhe personalitete kushtuar baritorisë shoqërore, kryetari këshillit Papnor për Drejtësi e Paqe, në përfundim të kongresit që zgjati katër ditë në qytetin portugez – ndau veçmas pastaj disa fusha parësore të impenjimit baritor në shoqëri nën dritën e kërkesave ungjilltare, të magjisterit shoqëror aktual dhe të nevojave të njerëzimit sot.







All the contents on this site are copyrighted ©.