2008-09-11 16:57:04

Teoria e Big Bang-ut nuk bie ndesh me doktrinën katolike mbi fillimin e botës. Në mikrofonin e R.V. shkencëtari Antonio Xikiki


(11.09.2008 RV)RealAudioMP3 Pas përfundimit të fazës së parë të eksperimentit mbi fillimin e botës, apo Big Bang, dje në CERN të Gjenevës, shkencëtarët e krejt globit festuan rezultatin pozitiv dhe tani presin me padurim ditën, në të cilën do të krijohen vërtet kushtet për të vëzhguar atë që ndodhi në botë, menjëherë pas krijimit të saj nga asgjëja. Dy fasha me protone do të dërgohen njëra-kundër tjetrës, në të dyja anët e akseleratorit më të madh të botës, për të parë se ç’ndodh pas përplasjes së tyre. Shpresohet të shihet eksperimentalisht bozoni i Higsit, apo e ashtuquajtura “grimcë e Zotit”, e cila do të shpjegonte se pse materia që shohim ka masë. Përsa i përket frikës që kishin disa shkencëtarë, se eksperimenti mund të krijonte një vrimë të zezë, që do të gllabëronte botën, në mikrofonin tonë përgjigjet Antonio Xikiki, shkencëtari italian president i Federatës Botërore të shkencëtarëve dhe anëtar i Akademisë Papnore të Shkencave:
Ne prodhojmë kushtet në të cilat ishte Gjithësia pak çaste pas Big Bang-ut. Pak çaste do të thotë të qindat e një të miliardit të sekondës; Big Bang-u është çasti në të cilin nga hiçi, nga asgjëja, u prodhua një sasi e jashtëzakonshme energjie dhe një sasi e jashtëzakonshme grimcash, që nuk i njohim. Po t’i masim gjërat me kohën e Big Bang-ut, jemi tepër larg prej kushteve të tij. Temperatura që do të arrijmë në CERN është një milion miliard herë më e ulët se ajo e Big Bang-ut, prandaj mund të qëndrojmë të qetë, pasi ne do të prodhojmë akullnajë, në krahasim me Big Bang-un. Meqë kjo temeperaturë është vërtet e ulët për termometrin e Big Bang-ut, por shumë e lartë për termometrin tonë, ne do të arrijmë të shohim gjëra, që nuk i kemi parë kurrë.
Teoria e Big Bang-ut a nuk është në kundërshtim me doktrinën katolike mbi zanafillën e botës e të Gjithësisë?
Absolutisht jo! Madje është konfirmimi i saj, pasi gjithçka lind menjëherë nga hiçi, nga asgjëja. Shkenca dhe feja janë të dyja dhurata të Zotit, thoshte Gjon Pali II; shkenca sjell fenë. Po jap si shembull zbulimin e ligjeve themelore të natyrës. Cila është domethënia e ligjeve themelore? Që ne nuk jemi bij të rastit, jemi bij të një logjike, pra ekziston një logjikë: këtë na thotë shkenca. Nëse ekziston një logjikë, duhet të ekzistojë edhe një autor, ja pse besoj në Atë që ka krijuar botën. Është më e logjikshme të imagjinosh se ligjet themelore kanë një logjikë, sesa të imagjinosh se këto ligje kanë ardhur kështu, rastësisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.