2008-09-11 16:56:25

SHBA-të përkujtojnë 11 shtatorin, paralajmërim për njerëzimin


(11.09.2008 RV)Njerëzimi kujtoi sot 11 shtatorin 2001, sulmin terrorist pa precedent të Al Kaidës që goditi në zemër SHBA-të dhe botën mbarë. Si mund të harrohen mijëra viktima të pafajshme? Si të harrohen të mbijetuarit e Kullave Binjake në Nju Jork, të mbuluar me pluhur e gëlqere, kur ecnin si fantazma të bardha rrugëve të Manhatanit, pa ditur nga shkonin? Si mund të harrohet shtëllunga e tymit, që ngrihej mbi World Trade Center para rënies së dy Kullave? Miliarda njerëz morën pjesë përmes televizionit në tmerrin e atyre ngjarjeve. Presidenti i SHBA-ve, Xhorxh Bush, pak orë pas tragjedisë, deklaroi para kombit: “Liria jonë u sulmua nga një frikacak pa fytyrë. Përgjegjësit do të dënohen”.
Këtë vit, përvjetori i shtatë i 11 shtatorit bie në prag të zgjedhjeve presidenciale amerikane. Presidenti Bush, duke ndërhyrë me lidhje satelitore në mbledhjen e republikanëve, mbështeti senatorin e Arizonës, Xhon MekKain, duke përsëritur bindjen për strategjinë e luftës kundër terrorizmit: “Jetojmë në një botë të rrezikshme – tha – e kemi nevojë për një president që të ketë nxjerrë mësim nga leksioni i 11 shtatorit”. Por administrata Bush, edhe pas 7 vjetësh, akoma nuk e kapur kreun e terrorit, Osama Bin Laden. Nga ana e tij, kandidati demokrat, Barak Obama, gjatë vizitës në Berlin, nënvizoi se Evropa dhe SHBA-të duhet të jenë të bashkuara në luftën kundër terrorizmit. Ndërsa 11 shtatori kujtohet nga ndjekësit e Osama Bin Ladenit me kërcënime të reja kundër Perëndimit e kandidatët amerikanë për president u lutën sëbashku për viktimat në Ground Zero, duke lënë mënjanë fushatën elektorale, është e qartë se nevojitet një bashkëpunim më i madh ndërkombëtar për të luftuar këtë plagë të shekullit.
“O Zot i paqes sill paqen tënde në botën tonë të dhunshme. Na e mbaj dorën mbi krye para ngjarjeve kaq të tmerrshme”. Janë disa nga fjalët e lutjes mallëngjyese, që Papa Benedikti XVI tha më 20 prillin e këtij viti, gjatë udhëtimit të tij historik në SHBA, para asaj grope të madhe, që kujton në Ground Zero, sulmet çnjerëzore të 11 shtatorit 2001.
Papa u ul në gjunjë në kraterin e Kullave Binjake dhe u lut për viktimat e Nju Jorkut, të Uashingtonit e të Pensilvanisë, tri vendet ku u përplasën avionet e marra nga terroristët në atë ditë të zezë të historisë së njerëzimit. Ati i Shenjtë shkëmbeu fjalë të ngrohta me 24 vetë: 16 familjarë të viktimave, katër të mbijetuar e katër zjarrfikës, që dhanë ndihmën e parë.
Sot, në të gjithë botën, 11 shtatori kujtohet me aktivitete të ndryshme, për të mos harruar, sepse ngjarje të tilla nuk duhet të përsëriten. E nëse, pas tmerreve të Luftës II Botërore, familja njerëzore dha prova qytetërimi duke themeluar Organizatën e Kombeve të Bashkuara, sot bashkësia ndërkombëtare duket e paaftë të përballojë sfidat e shekullit XXI. 11 shtatori bëri që bota të ndryshojë një herë e përgjithmonë: lufta kundër terrorizmit duhet të karakterizohet nga aftësia për t’i mohuar çdo lloj justifikimi moral terroristëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.