2008-09-11 16:58:08

365 ditë:"Franc List, pianisti që e vuri muzikën në shërbim të qiellit".


(11.09.2008 RV)RealAudioMP3 Franc List kishte duar mahnitëse, duar engjëlli, të cilat lëviznin me një art të pashoq mbi tastierën e pianos. Askush nuk mund t’ua kalonte këtyre duarve. Gishtrinjtë e tyre të hollë, të lakueshëm, fluturonin mbi tastierë. Duke qenë tepër të gjatë, bënin mrekulli: të dukej sikur tingëllonin të gjitha tastet përnjëherësh.
Listi, një nga pianistët më të mëdhenj të të gjitha kohëve, lindi në vitin 1811. Nisi të studiojë piano në moshën nëntë vjeçare e, pothuajse menjëherë, fama e tij u përhap shumë përtej kufijve të vendlindjes, Hungarisë. Jetoi në qytetet më në zë të Evropës, si Vjena e Parisi. Fitoi kudo simpatinë e admirimin e mbretërve e të mendjeve më të ndritura.
Franc Listi nuk ishte vetëm pianist, por edhe kompozitor. Kompozoi sidomos pjesë për piano, por edhe për orkestër e këngëtar. Mbetet një nga gjenitë e romantizmit, lëvizje artistike që, duke iu kundërvënë klasicizmit, krijoi një aradhe muzikantësh, poetësh, artistësh në përgjithësi, që nisën t’i shprehnin lirisht ndjenjat e tyre në art. Prandaj muzika e Listit të mahnit me emocionet tingëllore, të cilat rrallë herë kanë dalë nga tastiera e pianos.
Më 1865 pianisti hungarez hynte në vitin e pesëdhjetë e katërt të jetës, por suksesi i tij vijonte të ngjitej drejt kulmeve të reja. Prandaj të gjithë u çuditën e u mrekulluan për vendimin që mori papritmas: pianisti i madh vendosi të bëjë kushtet e të Tretit Urdhër të Shën Françeskut në Romë. Janë kushte që bëhen për t’i shërbyer Kishës, pa u shuguruar meshtar. Terciarët kanë detyrë t’i ndihmojnë meshtarët në veprimtari të thjeshta: të lexojnë Shkrimin Shenjt, të shërbejnë gjatë Meshës, të bëhen portierë në kuvende…
Të gjithë admiruesit e Listit vijonin të çuditeshin nga vendimi që mori. Dhe është për t’u çuditur kur një njeri, në kulmin e famës, heq dorë nga gjithçka dhe nis të jetojë në një mënyrë kaq të thjeshtë. E për më tepër, shkon e zgjedh urdhërin rregulltar të varfërisë e të thjeshtësisë, pikërisht ai, që kishte bërë një karrierë të shkëlqyer, e cila e kishte mbuluar me lavdi e me ar.
Por njerëzit që shqetësoheshin për talentin e tij, do të qetësoheshin shumë shpejt: ai braktisi gjithçka, veç jo muzikën. Vijoi të udhëtojë, duke jetuar sa në Romë, aq në qytete të tjera të mëdha, ku nuk i mungoi kurrë suksesi i kohëve të para. Pa hequr dorë nga koncertet, iu kushtua edhe formimit të pianistëve të rinj. Por, duke nisur nga çasti i përkushtimit, shkroi kryesisht muzikë kishtare. Një meshë, këngë të krishtera, meditime fetare, dy pjesë për piano për nder të Shën Françeskut të Asizit e të Shën Françeskut të Paolës… Kështu, duke e ndryshuar paksa rrjedhën e jetës së vet, Listi vuri duart e tij ëngjëllore dhe ndjenjat e tij të holla, në shërbim të qiellit!







All the contents on this site are copyrighted ©.