2008-09-10 17:59:42

Shenjtëroret e Zojës së Bekuar janë vende të veçanta urate e takimi


(10.09.2008 RV)Filloi sot në Saragozë të Spanjës e do të përfundojë më 12 shtator, Kuvendi evropian i Rrjetit të shenjtëroreve mariane të kontinentit. Shenjtëroret kushtuar Zojës janë vende që ruajnë në kujtesë ngjarje të mrekullueshme, janë vende shtegtimi ku takohen të krishterë, hebrenj e myslimanë, hapësira të privilegjuara lutjeje.
Shenjtërorja është vendi ku ruhet kujtimi i një ngjarjeje fetare të jashtëzakonshme, një mrekulli, një dukje, një lot. Ajo përmbledh përshpirtërinë popullore, që shprehet përmes shtegtimit. Janë shpeshtësia dhe dyndja e shtegtarëve ato prej kah buron të njohurit ndërkombëtar, kombëtar apo dioqezan i një shenjtëroreje për miratimin nga autoritetet kompetente. Natyrisht, shtegtimi është i pranishëm në të gjitha besimet, por krishterimi është ai që ka numrin më të madh të vendeve të kultit, kushtuar kryesisht Marisë. Pse?
“Virgjëra Mari është shenjtërorja e gjallë e Fjalës së Zotit, Arka e Besëlidhjes së Re dhe të amshuar.” Koncili i Efezit (viti 431) në fakt e pohoi amësinë hyjnore të Marisë duke e quajtur Theotókos, sepse prej Saj lindi Fjala, falë Saj u bë njeri Biri i Zotit, që jetoi mes nesh. E duke mbërritur përmes shekujsh tek Koncili II Ekumenik i Vatikanit vëmë re se në të Maria u shpall “fytyrë e Kishës e shembull tepër i shkëlqyer i besimit dhe i dashurisë”, duke nënvizuar kështu në mënyrë të veçantë qenien e saj shembull për Kishën. “Kisha, gjatë gjithë jetës së saj, mban me Nënën e Zotit një lidhje që në misterin e shpëtimit, rrok të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen dhe e nderon si nënë shpirtërore të njerëzimit dhe ndërmjetësuese hiresh”, sikurse tregon edhe prania e shenjtëroreve të shumta mariane shpërndarë nëpër botë e që përbëjnë një “Magnificat” misionar të vërtetë.
Në fakt nëpër botë janë me mijëra shenjtëroret kushtuar “Asaj që besoi”. Vetëm në Gjermani ka gati 680 syresh. Në Itali nga 2800 shenjtërore që janë gjithsej, 80 përqind janë mariane, e po ashtu edhe në Spanjë shumica e 2000 e më shenjtëroreve i është kushtuar Marisë. Në Slloveni ka dyqind prej tyre, në Filipine 60, në Kore 20. Dyndja më e madhe e shtegtarëve (15 deri 20 milionë) vihet re në Shenjtëroret e Zojës Sonë të Guadalupes, në Meksikë, në atë të Vailankanit, në Indi dhe Aparesida në Brazil. Të shumtë janë besimtarët në vendet e tjera të mëshirës mariane, si përshembull Bazilika-Shenjtërore e së Papërlyemes në Manilë, Filipine, Medaja e Mrekullueshme në Francë, në Ualsingham, Angli, Luhan, në Argjentinë. Kujtojmë pastaj edhe shenjtëroret ndërkombëtare të Zojës Sonë në Lurdë, në Fatima, në Loreto, në Monserrat e në Pompej. Nuk ka shifra të besueshme, pse jo në të gjitha dioqezat është mundësia të hartohet një vjetar, nga i cili të nxirren të dhënat e nevojshme. Porse dimë se në vitin 2006, për shembull rreth 43 milion vizitorë janë pritur nëpër afro 120 shenjtëroret e Francës.
Që të kthehemi tek ideja fillestare, shenjtëroret mariane janë shtylla të vërteta të kumtimit të Krishtit. E në fakt Maria jo vetëm që na ka dhuruar Zotin, por edhe sot na drejton tek Ai nëpërmjet shembullit të Saj dhe mesazhit të Saj, duke na dhënë zemër edhe një herë tjetër kështu: “Bëni atë që ju thotë.” si pati bërë në Kanë të Galilesë . Misioni i Shenjtëroreve mariane është ta propozojnë Marinë si shembull për t’u ndjekur, por mbi të gjitha si rrugëtim për të mbërritur te Krishti, që është Zot dhe burimi i shpëtimit. Kështu, katekizmi për shtegtarët e krishterë duhet të jetë kerygmatik – i lajmërimit, dhe të ketë si qëllim t’i drejtojë njerëzit tek Zoti, tek Ati ynë.” Te “Magnificat”-i Maria shpreh fenë e vet, brohoret për madhështinë e Zotit dhe na jep dëshminë e Zotit për gjithë njerëzimin, por veçanërisht për të përvuajturit, të varfërit e Jahveut prej të cilëve, Ajo është e para.







All the contents on this site are copyrighted ©.