2008-09-10 17:50:38

Papa përshëndet Francën në prag të shtegtimit të tij për 150-vjetorin e dukjeve të Lurdës: ‘Vij si lajmëtar i paqes dhe i vëllazërisë”.


(10.09.2008 RV)Sot, në përfundim të audiencës së përgjithshme në Sallën e Palit VI në Vatikan, Papa i drejtoi një përshëndetje të posaçme kombit francez, duke i ftuar të gjithë besimtarët të luten për shtegimin e tij baritor në Francë, që do të fillojë të premten e ardhshme, për të vijuar deri më 15 shtator, me rastin e 150-vjetorit të dukjeve të Zojës së Bekuar në Lurdë:

“Chers Frères et Sœurs…”
Papa i drejton kombit të shumëdashur francez, në prag të vizitës së tij të parë baritore në Francë, si Pasardhës i Shën Pjetrit, përshëndetjen e tij më të përzemërt për popullin francez e për mbarë banorët e këtij Vendi:

“Je viens chez vous en messager de paix et de fraternità…
Vij mes jush si lajmëtar i paqes dhe i vëllazërisë. E njoh vendin tuaj. Në shumë raste kam pasur gëzimin ta vizitoj e të vlerësoj traditën e tij bujare të mikpritjes, të tolerancës, ashtu si edhe fuqinë e fesë së tij të krishterë e kulturën e tij të lartë njerëzore e shpirtërore”.
Këtë herë – tha Papa – vij me rastin e kremtimit të 150-vjetorit të dukjeve të Virgjërës Mari në Lurdë. Pasi të vizitoj Parisin do të kem gëzimin e madh të bashkohem me turmën e shtegtarëve, që do të vijnë për të ndjekur etapat e Jubileut, në gjurmët e Shën Bernardetës, në shpellën e Masabielës:

“Ma prière se fera intense aux pieds de Notre Dame…
Do të lutem me gjithë shpirt tek këmbët e Zojës, për ndjetet e mbarë Kishës, posaçërisht për të sëmurët, më të braktisurit, por edhe për paqen në botë. Virgjëra Mari qoftë për ju të gjithë, e posaçërisht për të rinjtë, Nënë përherë e gatshme ndaj nevojave të bijve të saj, dritë shprese, që ju ndriçon e ju prin në rrugën e jetës! Miq të dashur të Francës, ju ftoj të bashkoheni me lutjen time, që ky shtegtim të sjellë fryte të begata. Në pritjen e gëzueshme për të qenë së shpejti mes jush, kërkoj për ju të gjithë, për familjet tuaja e bashkësitë tuaja, mbrojtjen amëtare të Virgjërës Mari, Zojës sonë të Lurdës. Zoti ju bekoftë!".







All the contents on this site are copyrighted ©.