2008-09-09 17:56:52

Në libraritë italiane doli ‘Udhëzuesi kryesor për studimin e Shkrimit Shenjt. Imzot Xhafranko Ravazi nxit për leximin e Biblës.


(09.09.2008 RV)RealAudioMP3 Për të kuptuar nocionet e shkurtëra e të domosdoshme të Biblës, ato që i krishteri duhet t’i njohë, në se dëshiron të lexojë Shkrimin Shenjt, mund të shfletohet një mjet i ri, i nevojshëm: ‘Udhëzuesi kryesor për studimin e Shkrimit Shenjt’, shkruar nga Pietro Prinçipe, shtypur në Shtëpinë Botuese të Vatikanit. Është një tekst i saktë e i këndshëm, shumë i përshtatshëm për ata që e shfletojnë për herë të parë Shkrimin Shenjt. Këtë mendon edhe imzot Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Ky udhëzues i vogël ka një qëllim – e prandaj mendoj se mund të mbahet pranë, si ndihmës, për leximin e tekstit nga njerëzit që nuk e njohin thellë Biblën. Mund të themi se është një libër i parë, fillestar, themelor, ndihmës për të nisur leximin e Biblës, për të hyrë në hollësitë e saj e për t’i kuptuar këto hollësi, Nuk duhet harruar se Bibla, në tërësi, ka 73 libra.

Pyetje: - Bibla, kod i jetës së krishterë, e ushqen shpirtin dhe e ndriçon njeriun e sotëm, në përpjekjen për t’i dhënë përgjigje pyetjeve ekzistenciale…

Përgjigje: - Shkrimi Shenjt është pikërisht dëshirë për t’iu përgjigjur pyetjeve të mëdha e themelore të njerëzimit. Aty i gjen të gjitha temat më të rëndësishme: gjen Hyjin, natyrisht, por edhe të keqen; gjen drejtësinë, por edhe dhunën; temën e politikës, të ndershmërisë në politikë e në ushtrimin e drejtësisë; por edhe dashurinë, pasionin, erosin, urrejtjen e të gjithë skëterrën që mund të krijohet në shpirtin e njeriut. Por gjen, sidomos, mundësinë për t’i prirë njeriut drejt përkryerjes, drejt Zotit, drejt misterit. Gjen edhe ndjesinë e tmerrshme të vdekjes e të gjakut që rrjedh rrëke në historinë njerëzore. Bibla nuk është shkëputje nga realiteti, nuk është përhumbje në qiejt mitikë e mistikë: është ankim i njeriut të sëmurë, është Jobi që lëshon një ulurimë rrënqethëse dëshpërimi. E sigurisht Bibla është mishërim i historisë, me këmbët e ngulura fort në ngjarjet e jetës sonë njerëzore, por me sytë lart, drejt Amshimit e pafundësisë, sepse aty gjejmë vdekjen, por edhe jetën e përtejme. Të gjitha këto çështje, që kanë të bëjnë me fatin e fundit të njeriut, i gjejmë në Bibël, gjë që e bën Librin e Librave kod të madh të qytetërimit tonë, të kulturës sonë, por sidomos të humanitetit tonë e, kryesisht, të fesë sonë!







All the contents on this site are copyrighted ©.