2008-09-09 17:54:19

Kisha kremtoi festën e Shën Pjetër Klaverit, rregulltar jezuit, që shkriu jetën për zezakët, viktima të tregtisë së skllevërve.


(09.09.2008 RV)RealAudioMP3 “Æethiopum sempre servus” (përherë shërbëtor i etiopëve): kështu e quante veten Shenjti, që kremton sot Kisha katolike. Duhet kujtuar se asokohe etiopë quheshin të gjithë zezakët, të cilëve Pjetri vendosi t’ua kushtojë jetën, duke u vënë në shërbim të skllevërve, që kapeshin në Afrikë e shiteshin në Amerikën jugore. Në prill të vitit 1622, kur bëri kushtet e përjetshme në Granadën e Re, jezuiti i ri nisi edhe realizimin e planit të tij, për t’u bërë skllav i skllevërve zezakë.
I lindur në Barcelonë të Spanjës më 25 qershor të vitit 1580, hyri që i vogël në kolegjin e jezuitëve. Më pas vijoi studimet klasike në universitetin e drejtuar prej tyre, në kryeqyetin katalan, ku më 1604 bëri edhe kushtet e përkohshme.
Në vitet 1605-1608 studioi filozofi në Palma di Majorka. E këtu e ndihmuan shumë ‘leksionet’ që mori nga portieri, Alfons Rodriguez, tregtar nga Segovia i cili, si humbi familjen, nisi punën e re, të përvujtë, në portën e jezuitëve. Por shumë shpejt dhomëza e tij mori pamjen simbolike të auditorit e ai u bë mësues përshpirtërie, me të cilin këshilloheshin njerëz të ditur e të pushtetshëm e posaçërisht, nxënësit e rinj, si Pjetër Klaveri. Kushdo hynte në portineri i shqetë, dilte që aty krejt i qetë.
I nisi studimet e teologjisë në Barcelonë e i kreu në Kartagjenë të Kolumbisë, ku u shugurua meshtar më 1616. Këtu zbarkonin mijëra skllevër zezakë, pothuajse të gjithë të rinj, që plakeshin e vdisnin shpejt, për shkak të punës së rëndë e të keqtrajtimeve. Pjetër Klaveri hyri në botën e tyre e provoi ç’do të thotë vuajtje e dëshpërim. Kuptoi se Zoti e thërriste për t’u shërbyer pikërisht këtyre njerëzve shpresëhumbur.
Nisi jo vetëm të jetonte pranë tyre, t’i ushqente, t’i mjekonte e, sidomos, t’i respektonte, por edhe të luftonte për ta, për t’ua kthyer rishtas dinjitetin, pa të cilin nuk mund t’u fliste për Hyjin e për dashurinë e tij. Mësoi gjuhën angoleze, që e flisnin shumë prej tyre, e krijoi një grup përkthyesish, për t’u marrë vesh me të tjerët, që vinin nga vende të ndryshme të Kontinentit të zi. Por zezakët nisen ta kuptonin edhe pa pasur nevojë për fjalë, sepse ai jetonte si të ishte skllavi më fatkeq: mjaftonte ta shikoje në sy, për t’i besuar këtij njeriu, që dinte të lexonte shpirtrat.
U sëmur nga kolera, sëmundje të cilën e mbarti me duresën e skllevërve, duke iu nënshtruar plotësisht vullnetit të Zotit. Vdiq 74 vjeç e u shpall shenjt më 1888, njëherësh me Alfonsin Rodriguez, portierin e Majorkës.







All the contents on this site are copyrighted ©.