2008-09-09 17:53:15

Benedikti XVI së shpejti në Francë. Thirrje e ipeshkvijve për besimtarët


(09.09.2008 RV)“Asgjë s’vlen më shumë se sa të jesh aty”. Kjo është sinteza e thirrjes që kardinali Andrè Vëng-Trua, kryeipeshkëv i Parisit dhe president i Konferencës Ipeshkvnore franceze, u bën besimtarëve e bashkëkombasve, duke i ftuar të marrin pjesë në udhëtimin apostolik të Papës Benedikti XVI në Francë, në program nga 12 deri më 15 shtator, me rastin e Jubileut për 150-vjetorin e dukjeve të Zojës në Lurdë. Presidenti i ipeshkvijve francezë – në një videointervistë të publikuar në faqen e internetit të Konferencës Ipeshkvnore – i fton të gjithë ata që kanë mundësi, të shkojnë pa frikë në Esplanades des Invalides, apo në Lurdë. Fjalë mikpritëse edhe për Atin e Shenjtë: “Do t’ju presim me gëzim të madh – shkruan kardinali Vëng-Trua – për të zbuluar njeriun e dialogut, të kujdesshëm” ndaj të gjithë atyre që i drejtohen, “të gatshëm të pranojë arësyet e të tjerëve, por edhe me dëshirë t’u drejtojë atyre mesazhin e tij”. Edhe Federata protestante franceze i uron Papës mirëseardhjen. “Federata – lexohet në komunikatën e saj – gëzohet sëbashku me katolikët francezë për ardhjen e Papës Benedikti XVI në Francë”. Protestantët, të udhëhequr nga pastori Klod Batì, vlerësojnë lart rolin e Atit të Shenjtë në fushën ekumenike, impenjim që Benedikti XVI e përmendi edhe gjatë Ditëve të fundit Botërore të Rinisë në Australi.







All the contents on this site are copyrighted ©.