Jehona e entuziazmit të Kishës kaliaritane për vizitën e Benediktit XVI, në fjalët
e kryeipeshkvit, Gjuzepe Mani e të të rinjve.
(08.09.2008 RV)Përfundoi mbrëmë
vizita e Benediktit XVI në Kaliari. Takimi i fundit zyrtar, në Sheshin Karlo Feliçe.
Në zemrën e qytetit sard, ku Papa u takua me të rinjtë. U prit në një atmosferë gazmore,
me këngë e valle, luajtur nga të rinj e të reja, të cilëve Benedikti XVI u drejtoi
një fjalim prekës, që u ndoq me emocion nga të gjithë. Pak më përpara Ati i Shenjtë
u takua me meshtarët dhe seminaristët, pasi kremtoi, paradite, Meshën solemne, me
rastin e njëqindvjetorit të shpalljes të Zojës së Bonarias, Pajtore kryesore e Ishullit. Gjithë
ditën rrugët në të cilat u përshkua Papa, ishin plot me njerëz në festë, që duartrokisnin
e brohorisnin. Kështu edhe kur Benedikti XVI shkoi në Seminar, e më pas, në Katedrale,
ku u takua me meshtarët e seminaristët e Sardenjës: Duke ju takuar ju – u tha
Ati i Shenjtë – mendoj me dashuri e mirënjohje për sivëllezërit tuaj, që punojnë në
Ishull, në toka të reja, të hapura e të lëruara me zell të madh apostolik nga ata
që ju paraprinë. “Sardenja njohu meshtarë që, si mjeshtër të vërtetë të fesë,
na lanë trashëgim shembuj të mrekullueshëm besnikërie ndaj Krishtit. I njëjti thesar
i paçmueshëm feje, përshpirtërie e kulture, ju besohet sot edhe ju”. Kështu
u shpreh Papa dhe në vijim falënderoi edukatorët e profesorët, që i kushtohen çdo
ditë një pune kaq të rëndësishme apostolike, duke theksuar se t’i shoqërosh kandidatët
në rrugën e formimit meshtarak, do të thotë t’i ndihmosh të bëhen një me Krishtin. Një
zhvendosje tjetër, turmë tjetër në festë. Benedikti XVI arrin në Sheshin Karlo Feliçe,
ku e presin mijëra të rinj. Entuziazmi në qiell; Papa pritet me dashuri të madhe nga
të rinjtë, të cilëve u përgjigjet me të njëjtën dashuri, duke i falënderuar për pritjen.E
njoh entuziazmin tuaj – u tha Ati i Shenjtë – njoh edhe dëshirat që ushqeni e impenjimin
për t’i realizuar. Por njëkohësisht njoh edhe vështirësitë e problemet: plagën e papunësisë
e të mungesës së punës, emigracionin, shpërnguljen e forcave më të freskëta e më të
gjalla, që çon në shrrënjosjen nga mjedisi e ka si pasojë dëme të rënda të cilat,
para se të jenë sociale, janë psikologjike e morale.Më pas Papa vuri theksin mbi të
këqijat e shoqërisë konsumistike, në të cilën jetojmë: “Fitimi e suksesi janë
bërë idhuj të rinj, para të cilëve gjunjëzohet shumëkush. Si pasojë, vlerësohet vetëm
ai që, siç thuhet sot ‘ka fat’, që dallohet nga të tjerët, e jo ai që lufton ditë
për ditë me jetën”. Krijohet, kështu, rreziku i një jete të përciptë – shtoi
Papa – i kërkimit të rrugëve të shkurta për të arritur suksesin, duke e shpërdoruar
jetën në kërkim të kënaqësive të menjëhershme, që në vetvete janë të përkohshme e
të rreme. “Rritet prirja për individualizëm, e kur mendon vetëm për vetveten,
nuk mund të mos bëhesh i brishtë e të mos e humbasësh durimin e dëgjimit, fazë e domosdoshme
për ta kuptuar tjetrin e për të punuar së bashku”. Pastaj Papa kujtoi Gjon
Palin II i cili, në fjalimin drejtuar të rinjve në Kaliari, më 1985, u propozoi tri
vlera, tepër të rëndësishme, që duhet t’i kenë parasysh, në se duan të ndërtojnë një
shoqëri vëllazërore e solidare: vlerën e familjes, të formimit serioz intelektual
e moral, pa të cilin nuk mund të bëhet fjalë për të ndërtuar të ardhmen, dhe vlerën
e një feje të thellë e të sinqertë: “Familja, formimi e feja. Ja pra, të dashur
të rinj të Kaliarit e të mbarë Sardenjës, edhe unë po ju lë këto tri porosi, tri fjalë,
tri vlera që t’i bëni tuajat me dritën e forcën e Shpirtit të Krishtit. Zoja jonë
e Bonarias, Pajtorja kryesore e Mbetëresha e ëmbël e sardëve, ju mbrojtët e ju shoqëroftë
përherë!”.
Në përfundim të kësaj dite të rëndësishme,
për Kishën sarde, kryeipeshkvi i Kaliarit, imzot Gjuzepe Mani, u shpreh kështu
para mikrofonit të Radio Vatikanit:
Përgjigje: - Unë e paraqita
vërtetë si një kremtim të madh feje të popullit sard. E kështu ishte vërtetë. Njerëzit
morën pjesë në mënyrë të pabesueshme e, sidomos, personale, gjë që më preku thellë,
sepse dje Sardenja u bë ‘tempull i Zotit’, ashtu siç e quajti vetë Ati i Shenjtë.
Në Sardenjë jemi pak, vetëm një milion e gjashtëqind mijë banorë, e është një tokë
më e madhe se Sicilia. Prej tyre ishin të pranishëm në festë më se 150 mijë vetë,
ndërsa mijëra të tjerë i ndoqën kremtimet me të njëjtin emocion e pjesëmarrje, para
televizorit. Ndonëse feja nuk matet me statistika. Rëndësi ka feja e gjallë. E ne
e pamë, e prekëm, duke u mbledhur rreth Pajtores sonë, Zojës së Bonarias, që jam i
sigurtë se do t’i ndihmojë sardët ta ungjillëzojnë botën e punës, të ekonomisë e të
politikës. Fjalë të forta, apo jo?
E pas kryeipeshkvit
Mani, të dëgjojmë ç’mendon një nga të rinjtë, pjesëmarrës në të gjitha kremtimet,
për gjurmët që lë pas kjo vizitë baritore e Papës në Sardenjë e posaçërisht, takimi
me të rinjtë:
Përgjigje: - Sigurisht na lë një ngakesë shpirtërore,
që mund të na krijojë të gjithë neve, të rinjve, mundësinë ta shikojmë ardhmërinë
me më shumë besim. Në se duam t’ia ndryshojmë faqen kësaj shoqërie, duhet të nisim
nga vetvetja e të impenjohemi sidomos në jetën tonë të përditshme, në lagjen tonë,
në shkollat tona, në universitetet tona, në komunën tonë.