2008-09-07 17:40:23

Sot u përkujtua Shën Regjina, virgjër e martire


(07.09.2008 RV)Për jetën e Shenjtores kemi pak lajme, që vijnë deri në ditët tona nga një dëshmitar i kohës.
Lindi e jetoi në Alizë të Galisë, pranë Otunit, në shekullin III. E ëma i vdiq gjatë lindjes së saj, duke e lënë jetime. U rrit në fenë e krishterë, ndonëse i jati, Olibri, sundimtar i Galisë, mbeti pagan e bëri çmos ta bindë të hiqte dorë nga Krishti. Me që vajza nuk u bind, i jati e burgosi, e torturoi e, më në fund, ia preu kokën.
Shën Regjina u martirizua në Alizë, vend ku prijësi i Galëve, Verçingjetorigji u zu rob nga prijësi romak, Jul Qesari.
Në kontrast me lajmet e pakta për jetën e Martires, kulti i saj u përhap në mënyrë të jashtëzakonshme në Francë, kryesisht në qytetin Alizë, e në Gjermani, në qytetin Osnabryk. Në të dy qytetet ruhen relike të Regjinës Martire.
Dihet me siguri se Regjina nderohej në Alizë para vitit 628, ndërsa rreth vitit 750, në këtë vend u ngrit një bazilikë, ku ruheshin relike të Shenjtores. Pranë bazilikës u ngrit edhe një manastir. Më vonë, e pikërisht në vitin 854, reliket u mbartën në Flavinjì, ku ruhen edhe zinxhirët me të cilët qe lidhur Shën Regjina në burg.
Kisha kushtuar Martires u ndërtuan në shumë vende të Francës, edhe në Paris, ku në shekullin XVII u themelua një Bashkëvëllazëri me emrin e saj, Ste-Reine.
Në artet figurative paraqitet me palmën tradicionale të martirizimit, me sopatën, që i preu kokën e zinxhirët, që i mbarti në burg.
Festa e Shën Regjinës, që në lashtësi e deri më sot, kremtohet gjithnjë më 7 shtator.







All the contents on this site are copyrighted ©.