2008-09-07 17:40:50

Kur dhuna nuk e shuan fenë: dëshmia e krishterë e Ingrid Betankur. Reflektim i Atë Federiko Lombardit.


(07.09.2008 RV) RealAudioMP3 Paqe, respekt, fe, shpresë. Pak ditë më parë Ingrid Betankur ishte në Romë e në Vatikan. La pas fjalë, që meritojnë të kujtohen, duke treguar një copë nga jeta e saj e jashtëzakonshme, kaluar në thellësirat e xhunglës kolumbiane si peng i guerriljes së vendit të saj. E pikërisht dëshmisë së ish-senatores franko-kolumbiane ia kushton sot reflektimin e tij, drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi:

 
“Dëshiroj t’i them Farkut: bota ju shikon e kërkon nga ju ta hapni zemrën, t’i bëni vend ndjenjave të dashurisë e të faljes, përtej interesit të dhunës e të hakmarrjes. Mos ndiqni vetëm rrugën e krimit, të armëve. Le të flasin të gjithë kolumbianët, ata që mendojnë si ju, e ata që nuk mendojnë si ju”. Pasi u prit nga Papa, Ingrid Betankur iu drejtua kështu krerëve të guerriljes, që e mbajtën gjashtë vjet si robinë në xhunglën kolumbiane, e që vijojnë akoma të mbajnë me qindra pengje.
Dëshmia e saj, e ngarkuar me bindje të qarta shpirtërore e kristiane, ndoshta ka rrezik të mos merret tepër seriozisht nga mendësia laiciste; por në një burgim tepër të gjatë, njeriu i shikon me një sy krejt tjetër gjërat që janë vërtetë e rëndësishme në jetë; e këtë nuk e dëshmon vetëm Ingrid; e thonë edhe disa të rrëmbyer të tjerë. Ideologjitë shuhen e del në plan të parë ajo që është në fund të zemrës: ajo, në të cilën beson, që të mundëson t’i krijosh marrëdhëniet me të tjerët mbi bazën e respektit, të vëllazërisë e të paqes. “Pa fe, nuk ke shpresë, e pa shpresë, nuk ke forcë për të vijuar luftën”, vazhdoi Ingrid; luftën për një botë, në të cilën mbretëron pajtimi. Urojmë ta vijojë kumtimin e këtij mesazhi të paqes. Do të jetë ndihmesa më e çmuar që kjo grua delikate, e cila ridoli mrekullisht nga xhungla, mund t’i japë botës sonë, të sëmurë nga urrejtja”.







All the contents on this site are copyrighted ©.