2008-09-07 18:41:55

Ditë lutjeje e agjërimi sot në Indi, për t’u shprehur afërsinë të krishterëve të Orisës, viktima të dhunës.


(07.09.2008 RV)Në Indi sot u kremtua një Ditë lutjeje e agjërimi, si shenjë afërsie shpirtërore e solidariteti me të krishterët, viktima të dhunës kryer nga fanatikët hinduistë në Shtetin e Orisës. Dita, organizuar nga Kisha vendase, kremtohet në sa, për fat të keq, vijojnë aktet e dhunës kundër të krishterëve. Tani dhuna ka trokitur edhe në shtëpitë e Nënë Terezës. E pikërisht kur bota mbarë kremtonte Festën e saj Liturgjike. E kur Kongregata e themeluar nga e Lumja shqiptare, vijon të jetë më e dashura e më respektuara në të gjithë Indinë.
Dy ditë më parë, disa misionare të bamirësisë, që po ktheheshin në kuvend me katër fëmijë, u bllokuan dhe u keqtrajtuan nga një grup prej 20 aktivistësh të “Bajrang Dal’, pranë stacionit hekurudhor Durgh, në Katisgarh të Indisë qëndrore. Hinduistët i detyruan me forcë motrat të zbresin nga treni, ua morën fëmijët e i çuan deri në komisariatin e policisë, duke lëshuar parulla antikristiane.
Kisha katolike indiane reagoi menjëherë, duke denoncuar klimën e armiqësisë e të terrorit kundër të krishterëve. Pa marrë parasysh thirrjet e Vatikanit e edhe të qeverisë së Nju Delhit, situata në zonat ku janë sulmuar kishat dhe institutet fetare të krishtera, mbetet e nderë. Mijëra familje kanë braktisur shtëpitë dhe janë fshehur nëpër pyje, nga frika e sulmeve të reja të fondamentalistëve hinduistë. E kjo, sepse sulmet janë përsëritur e u është kallur flaka disa kishave të tjera, pa marrë fare parasysh se Kryeministri Manmohan Singh u ka siguruar familjeve të viktimave mbrojtjen e shtetit dhe i ka quajtur padrejtësi sulmet e fanatikëve hinduistë kundër të krishterëve, duke shtuar edhe se dhuna i kundërvihet drejtësisë, prandaj nuk mund e nuk duhet të vijojë.
Kujtojmë edhe se në audiencën e përgjithshme të së mëkurës së kaluar, Ati i Shenjtë u foli besimtarëve për trishtimin e thellë me të cilin i priti lajmet nga Orisa e Indisë. Duke kujtuar vrasjen e disa njerëzve, plagosjen e shumë të tjerëve, shkatërrimin e qendrave të kultit, të pronave të Kishës e të shtëpive private, Ati i Shenjtë theksoi se është pranë të krishterëve, viktima të dhunës, dhe kërkoi me forcë që jeta njerëzore të respektohet në çdo rrethanë.








All the contents on this site are copyrighted ©.